Halise Bala me katër fëmijët e saj para se tre prej tyre të vriteshin më 12 qershor 1999, në shtëpinë e tyre në Pejë. Foto: BIRN

Për disa, përvjetori i NATO-s i Kosovës shkakton emocione të përziera

Kosova kujton ditën e qershorit kur NATO-ja ndërhyri dhe forcat serbe u larguan nga vendi.

Herët në mëngjesin e 12 qershorit 1999, Halise Bala dëgjoi një trokitje të lehtë në derën e shtëpisë së saj në Pejë, në Kosovën perëndimore.

Duke qenë se nuk kishte pasur energji elektrike në shtëpi për muaj të tërë, Bala dinte pak për atë që po ndodhte jashtë qytetit të saj; fqinjët e saj kishin ardhur me lajmin që të gjithë e prisnin – se trupat e NATO-s ishin gati të hynin në Kosovë dhe forcat serbe po tërhiqeshin. Lufta kishte marrë fund.

Ishte një moment “që të linte pa frymë”, kujton ajo. Por gëzimi i saj qe jetëshkurtër.

Ndërsa ra mbrëmja, ushtarët e aleancës ushtarake perëndimore nuk kishin arritur ende në lagjen e Balës, kur një grup paraushtarakësh serbë hynë në shtëpinë e saj. “Ata na urdhëruan të mblidheshim të gjithë në këtë dhomë ndenjeje”, tha Bala për BIRN, 24 vjet më vonë. Fëmijët e saj ishin në gjumë dhe burri i saj ishte larguar për një punë disa minuta më parë.

Paraushtarakët përdhunuan kunatën e Balës dhe më pas, “me një qiri në duar”, u thanë fëmijëve se do t’u vinin flakën. Në errësirë filluan të shtënat.

Kur Bala u zgjua, asaj i rridhte gjak nga nëntë plagë plumbash. Ajo arriti të ndezë një qiri dhe të shohë kufomat e shpërndara rreth saj. Dy nga djemtë e saj, Hajriu 11-vjeçar dhe Agoni gjashtë-vjeçar dhe vajza e saj nëntë-vjeçare Dardane, kishin vdekur, ashtu si dhe kunata e Balës, Vjollca 26-vjeçare, dhe vajza e Vjollcës, Rina, 6 vjeçe. Motra pesë vjeçare e Rinës, Nita, ishte ende gjallë, si dhe djali i tretë i Balës, Vetoni, i cili kishte arritur të shpëtonte duke u hedhur nga ballkoni. Ai më vonë u kthye me babanë e tij, Isën.

Tepër të frikësuar që të dilnin nga shtëpia, Bala dhe vajza e kunatës së saj, Nita, u panë nga një mjek, një serb, vetëm në orën 9 të mëngjesit, kur fqinjët i çuan në spitalin më të afërt. Mjeku i dha lajmin se Nita kishte vdekur. “Ai tha në serbisht, ‘Më vjen keq, nuk mbijetoi. Priti shumë gjatë dhe humbi shumë gjak’”, kujton Bala.

“Pasi më operoi, mjeku u nis për në Serbi”, tha ajo. “Kalova një muaj në spital dhe nuk e ndjeva kurrë ditën e çlirimit”. Dhjetë ditë pas masakrës, kunati i Balës, Musai, u gjet i vdekur pranë varrezave të Pejës.

Ndonëse jo një festë zyrtare publike, për gati një çerek shekulli, 12 qershori është shënuar nga shqiptarët e Kosovës si një ditë gëzimi, fundi i një lufte brutale kundër kryengritjes serbe dhe dita kur Kosova hodhi poshtë sundimin serb. Për Balën, megjithatë, përvjetori është një përvjetor tragjik; dhe për serbët e Kosovës, ai shënoi fillimin e një vale sulmesh hakmarrëse, duke bërë që mijëra të largoheshin nga shtëpitë e tyre për në Serbi.

Mes tensioneve të ripërtëritura dhe shtysës nga perëndimi që Serbia dhe Kosova të zgjidhin përfundimisht mosmarrëveshjet, historiania serbe Dubravka Stojanoviç tha se përvjetori i 12 qershorit dhe të tjerë si ai, duhet të jenë ditë që serbët dhe shqiptarët i shënojnë së bashku.

“Kjo duhet të ndodhë jo vetëm për t’u pajtuar me ‘Tjetrin’, por për t’u pajtuar me veten”, tha Stojanoviç për BIRN, duke folur në anglisht. “Kjo është e vetmja mënyrë që shoqëritë tona të dalin nga kurthet nacionaliste që na kanë mbajtur ë ngurtësuar për një kohë kaq të gjatë”

Veton Bala me një foto të dy vëllezërve dhe motrës së tij, të cilët nuk i mbijetuan sulmit në shtëpinë e tyre më 12 qershor 1999, në Pejë. Foto: BIRN

Plumba ekstra

Paul Gibson, një nënkolonel britanik, ishte oficer komandues i Batalionit të Parë të Regjimentit të Parashutistëve, trupat e para britanike që hynë në vend. Ai kujton vapën e ditës kur hyri në Prishtinë.

“Njëqind vjet histori u ndryshuan më 12 qershor”, tha për BIRN Gibson, tani drejtor i Grupit të Sigurisë në Mjedise Komplekse në Londër.

NATO-ja nuk u vendos pa pengesa. Rusia, një aleate e Serbisë, dërgoi ushtarët e saj për të pushtuar aeroportin e Prishtinës, duke krijuar një situatë që komandanti britanik i trupave të NATO-s, Mike Jackson, paralajmëroi se mund të shkaktonte Luftën e Tretë Botërore.

“Ishte një moment shumë i tensionuar”, tha Gibson. “Mora urdhra shumë të shkurtra, të cilat në thelb ishin të shkoja në aeroport dhe të përgatitesha për t’u përballur me rusët, që ishte një urdhër i gjatë.”

“Ne nuk donim të luftonim rusët”, tha ai. Por kur u kthye në Maqedoninë e Veriut, “pashë ushtarët që vendosnin plumba shtesë në karikatorët e tyre. Të gjithë e kishin marrë shumë seriozisht.”

Mosmarrëveshja përfundimisht u zgjidh dhe Gibson u urdhërua të siguronte Prishtinën. Eprorët e tij i thanë atij të bazohej në përvojën e tij në Irlandën e Veriut, por Gibson tha se situata ishte “shumë ndryshe”.

Atmosfera ishte e ngarkuar. “Ushtarët ishin të tensionuar”, tha ai. “Ata vërtet nuk e kuptonin plotësisht situatën. Ishte e ndezur dhe kaotike.”

Me lot në sy, Gibson kujtoi sesi shqiptarët qëndronin buzë rrugës, duke valëvitur dhe hedhur lule në drejtim të trupave të NATO-s.

“Kishte një atmosferë të vërtetë që ne po bënim diçka pozitive, po bënim diçka të mirë”, tha ai.

Ndërsa forcat serbe ende tërhiqeshin, Gibson nuk e kishte idenë se ku do ta kalonin natën ai dhe ushtarët e tij. Përkthyesi i tij shqiptar u kujtua për një mik me një shtëpi ku mund të qëndronin. “Ishte vërtet surreale”, tha ai. “Unë isha atje me helmetën time, jelekun antiplumb dhe gjithçka tjetër.”

Atë natë, Gibson shoqëroi një patrullë në Prishtinë kur një zë u dëgjua të thoshte në radio: “Sapo vramë dikë.” Një polic serb kishte hapur zjarr dhe trupat e NATO-s e qëlluan për vdekje.

Me largimin e forcave serbe, nisën plakçkitja dhe sulmet hakmarrëse. “Kishte hakmarrje”, tha Gibson. “Kishte serbë të moshuar që po vriteshin. Dhe përballja me këtë ishte një çështje e madhe.”

Pastaj ishin luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, të cilët ishin koordinuar me NATO-n gjatë 11 javëve të sulmeve ajrore për të dëbuar forcat serbe, por tani pritej të fillonin të çarmatoseshin.

“Marrëdhëniet me UÇK-në nuk ishin aq të mira sa duhej të ishin”, tha Gibson për BIRN. “Ata mbanin armë dhe neve na u tha se askush nuk duhet të mbante armë.”

Paul Gibson (majtas), një nënkolonel btianik, pjesë e kontigjentit të parë të NATO-s që hyri në Prishtinë. Fotoja tregon Gibsonin duke pozuar me princin Çarls, i cili vizitoi trupat e Maqedonisë së Veriut disa ditë para se të hynin në Kosovë. Foto kortezi e Paul Gibson.

Vrima plumbash

Kosova u bë repart i Kombeve të Bashkuara dhe shpalli pavarësinë, me mbështetjen e fuqive të mëdha perëndimore, në vitin 2008.

Tre muaj pas shpalljes së pavarësisë, kur Kosova ishte ende nën një formë mbikëqyrjeje ndërkombëtare, ligjvënësit miratuan një ligj për festat publike, por 12 qershori nuk ishte në listë, me shumë gjasa për shkak të ndjeshmërisë për serbët e pakicës që e shohin këtë nga një tjetër këndvështrim.

Fatlum Ibrahim, një historian kosovar, tha se përvjetori ende nuk shihet objektivisht.

“Hulumtuesve kosovarë u mungon guximi për të ekspozuar segmentet e kësaj ngjarje që ndoshta nuk do të priten shumë mirë nga publiku i gjerë”, tha ai.

Rreth 50,000 trupa të NATO-s u futën në Kosovë në qershor 1999. Sot, rreth 4,000 kanë mbetur, megjithëse vetëm këtë muaj aleanca ka vendosur qindra të tjerë si përgjigje ndaj dhunës së re në një pjesë të veriut të populluar kryesisht nga serbët.

Në shtëpinë e Balës, vrimat e plumbave mund të shihen ende në dyshemenë e dhomës së ndenjes. Pjesa tjetër e shtëpisë është restauruar që atëherë, por vrimat e plumbave nuk u prekën. “Duam t’i lëmë ashtu siç janë, në kujtim të familjes sime, edhe për fëmijët e mi”, tha Vetoni, tani 31 vjeç.

Teksa kujton atë natë, 24 vite më parë, Bala tha se njohu disa nga fytyrat e paraushtarakëve. Midis tyre, tha ajo, ishte Nebojsa Miniç, i njohur si ‘Mrtvi’ (I vdekuri). Miniç, i cili ishte nga Peja, ndërroi jetë në Argjentinë në vitin 2005 ndërsa priste ekstradimin në Serbi për akuzat për krime lufte.

“Kam jetuar për drejtësinë”, tha Bala. Edhe pse për të 12 qershori është një ditë zie, Bala beson se ajo duhet të jetë një festë zyrtare publike për vendin e saj. “Për sa kohë nuk është zyrtare, nuk mund ta shoh atë as si një ditë të vërtetë çlirimi”, tha ajo.

Artikulli është publikuar fillimisht në Ballkan Insight