Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK: Presidentja doli nga pazaret e pista, ajo do t’i shërbejë vetëm Kurtit

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas zgjedhjes së Vjosa Osmanit presidente e vendit.

PDK-ja thotë se e konsideron të padenjë, përçarëse dhe partiake Vjosa Osmanin, e cila, sipas tyre, do t’i shërbej vetëm kryeministrit Kurti por jo edhe qytetarëve të Kosovës.

“Sonte, autoritari Albin Kurti nënshtroi deputetët e tij, presidenten tashmë të zgjedhur të vendit dhe çfarë është për keqardhje, edhe një parti opozitare si LDK-ja, për të shtrirë kontrollin e tij të plotë mbi institucionet e Kosovës. Kurti fillimisht e ndau LDK-në, pastaj e shantazhoi dhe kur kjo nuk i mjaftoi, edhe e kërcënoi dhe e zhveshi nga dinjiteti që i kishte mbetur”, thuhet në kumtesë.

PDK-ja po ashtu ka thënë se Kurti dhe Osmani u lëshuan në pazare me Listën Serbe dhe në blerje të deputetëve të opozitës, si Adelina Grainca.

“Jo vetëm kaq, Kurti dhe Osmani u lëshuan në pazare me Listën Srpska dhe në blerje të deputetëve të opozitës, si Adelina Grainca, deputete e turpit që tradhëtoi votuesit besnik të PDK-së, për të siguruar votat në këmbim të favoreve dhe privilegjeve duke e kompremetuar tërësisht këtë proces dhe duke e deligjitimuar pozitën e presidentit të shtetit”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre, Vjosa Osmani, nuk do të jetë asnjëherë presidentja valide, unifikuese dhe e të gjithë popullatës.

“Partia Demokratike e Kosovës, si forca e vetme opozitare ndaj këtij pushteti të ri autoritar, do të angazhohet tërësisht në mbrojtjen e rendit demokratik, kushtetutshmërisë dhe do ta kundërshtoj me tërë kapacitetet shantazhin e ushtruar ndaj opozitës dhe institucioneve tjera të pavarura”, përfundon komunikata e PDK-së.

PDK-ja nuk ka marrë pjesë sonte e as dje në seancat për zgjedhjen e presidentit.

Vjosa Osmani është zgjedhur shefja e re e shtetit me 71 vota.