PDK për dhomën e përgjimeve: Të dhënat e mbi 1 milion qytetarëve janë në duart e Vetëvendosjes

Partia Demokratike e Kosovës është përfshirë në akuzat e fundit ndaj zyrtarëve të qeverisë në detyrë pas deklarimit të Presidentit Hashim Thaçi se të njëjtit  kanë hyrë në dhomën e përgjimeve në Telekomin e Kosovës për 3 ditë rresht.

Presidenti Hashim Thaçit një ditë më parë tha se kryeministri në detyrë Albin Kurti, zëvendësi i tij Haki Abazi e ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla kanë hyrë në dhomën e përgjimeve duke shkelur ligjin.

Kurse, në një konferencë për media, deputeti i PDK-së, Sejdi Hoxha, ka thënë se të dhënat e mbi 1 milion qytetarëve të Kosovës dhe komunikimet e tyre 20 vjeçare janë në duart e Lëvizjes Vetëvendosje, “e cila tani e tutje do të shantazhojë secilën familje kosovare dhe qytetar të këtij vendi”.

“Gjatë kësaj vizite të paligjshme dhe të rrezikshme, është konfirmuar që janë fikur për disa ditë kamerat e sigurisë që monitorojnë dhomën e serverëve të përgjimeve. Dhe nga kjo dyshohet që përmes këtyre zyrtarëve të lartë të qeverisë janë futur persona të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë marrë të gjitha komunikimet, telefonata dhe mesazhet e  qytetarëve të Kosovës të ruajtura për 20 vite”, tha Hoxha.

PDK-ja i ka bërë thirrje Prokurorisë të veproj menjëherë me hetime dhe që “organet e drejtësisë t’i arrestojnë të gjithë zyrtarët e lartë në Telekom që lejuan këtë vizitë të paligjshme të zyrtarëve të lartë të qeverisë në këtë dhomë”.

“Po ashtu, ne i bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që menjëherë të fillojë hetimet penale për këtë shkelje flagrante, të pa precedent, e të rrezikshme të Kryeminstrit Kurtit, Zëvendëskryeministrit Abazi dhe Ministrit të brendshëm Sveçla”, theksoi ai.

Kurse, kryeministri në detyrë Albin Kurti i ka quajtur gënjeshtra deklarimet e presidentit.

“Problemi me kundërshtarët është që nuk mund të gënjejnë vetëm një herë, ato janë shpifje. Duket që protagonistëve të aferës Pronto ju ka ngelur mendja te përgjimet atëhër kur e ushtronin italishtën e mafiozëve. Të mos humbim kohë sepse dëshirat po i përshkruajnë si fakte, ata kanë dëshirë të hynë ne dhomën e përgjimeve”, tha Kurti sot para gazetarëve.

Ndërkaq, Prokuroria e Shtetit ka filluar që të grumbullojë informacione në lidhje me akuzat e Presidentit Hashim Thaçi, se Kryeministri në detyrë Albin Kurti, Zv.Kryeministri Haki Abazi dhe U.D i detyrës së Ministrit të MPB-së, Xhelal Sveçla kanë hyrë në dhomën e përgjimeve në Telekomin e Kosovës për tri ditë rresht.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Prokuroria e Shtetit ka konfirmuar se ka nisur grumbullimi i informatave.

“Ju njoftoj se Prokurori i Shtetit është në fazën e grumbullimit të informatave për të vërtetuar nëse ekzistojnë elementet e veprës penale, që ndiqet sipas detyrës zyrtare”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë drejtuar KALLXO.com.

Sipas PDK-së, edhe paralajmërimi i sotëm për prova për protestë nga LVV-ja është është presion direkt ndaj vendimit të ardhshëm të Gjykatës Kushtetuese.

Më poshtë e gjeni të plotë deklaratën e deputetit të PDK-së, Sejdi Hoxha:

Që nga dita e parë e kësaj qeverie, shihet qartë tendenca për ta pushtuar çdo institucion dhe çdo individ në mënyrë të paskrupulltë dhe në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Edhe vendimi i fundit në mesnatë mbrëmë, për të organizuar protestën sot nga qeveria e territ, është presion direkt ndaj vendimit të ardhshëm të Gjykatës Kushtetuese.

Megjithatë, shqetësim serioz paraqet skandali më i madh deri më tani i kësaj qeverie, siç është ndërhyrja e paligjshme në dhomën e përgjimeve në Telekomin e Kosovës.

Qytetarët e Kosovës janë shqetësuar për veprimin e paprecedent, të rrezikshëm, të paligjshëm dhe arbitrar të kryeministrit në largim Albin Kurti, zëvendësit të tij, Haki Abazi dhe Ministrit të brendshëm, Xhelal Sveçla për hyrjen e tyre të paligjshme në dhomën e përgjimeve në Telekomin e Kosovës në muajin maj të këtij viti.

Gjatë kësaj vizite të paligjshme dhe të rrezikshme, është konfirmuar që janë fikur për disa ditë kamerat e sigurisë që monitorojnë dhomën e serverëve të përgjimeve. Dhe nga kjo dyshohet që përmes këtyre zyrtarëve të lartë të qeverisë janë futur persona të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë marrë të gjitha komunikimet, telefonata dhe mesazhet e qytetarëve të Kosovës të ruajtura për 20 vite.

Sot, fatkeqësisht, të gjitha komunikimet private të mbi 1 milion burrave dhe grave të Kosovës gjatë 20 vjetëve sa operon Vala dhe Telekomi i Kosovës dhe të shumë familjeve, janë tanimë në duart e Lëvizjes Vetëvendosje. Ky veprim përbën kërcënim real për çdo familje kosovare, për çdo qytetar, gazetar, pjesëtar të shoqërisë civile apo biznesmen, të cilët në çdo kohë tani e tutje mund të shantazohen për qëllime të ndryshme.

Deri më tani, gjatë 20 vjetëve sa ruhen të dhënat personale në Telekomin e Kosovës, nga kjo qendër e përgjimeve nuk ka dal kurrë ndonjë e dhënë personale apo komunikim privat i qytetarëve të Kosovës. Të vetmit persona të autorizuar me ligj për të pasur qasje në këtë dhomë të përgjimeve janë Prokurori i shtetit, i shoqëruar nga zyrtari përgjegjës për komunikim me Prokurorinë brenda Telekomit.

Prandaj, është urgjente  që pas këtij veprimi  skandaloz, të paprecedent e të rrezikshëm, organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës, konform përgjegjësive ligjore t’i vënë para përgjegjësisë dhe ti arrestojnë zyrtartët e lartë të Telekomit të Kosovës, anëtarët e Bordit dhe Drejtoreshën Ekzekutive që kanë shkelur ligjin dhe kanë lejuar qasjen e personave të paautorizuar.

Po ashtu, ne i bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që menjëherë të fillojë hetimet penale për këtë shkelje flagrante, të pa precedent, e të rrezikshme të Kryeminstrit Kurtit, Zëvendëskryeministrit Abazi dhe Ministrit të brendshëm Sveçla.