Pas votimit të Qeverisë Hoti, BE kërkon rifillim të shpejtë të dialogut me Serbinë

Bashkimi Evropian ka uruar qeverinë e re të Kosovës të udhëhequr nga Kryeministri Avdullah Hoti dhe përmes një deklarate të përbashkët të përfaqësuesit të lartë Josep Borrell dhe Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim Olivér Várhelyi janë shprehur të gatshëm të mirëpresin punën e përbashkët për të avancuar marrëdhëniet BE-Kosovë.

Sipas deklaratës së përbashkët, pandemia e coronavirusit do të mbetet një sfidë e përbashkët për të ardhmen e parashikueshme dhe BE do të vazhdojë të qëndrojë pranë Kosovës dhe njerëzve të saj.

“Ne gjithashtu duam ta shohim Kosovën përpara në rrugën e saj evropiane. Kjo do të kërkojë përpjekje të vendosura për reforma për të forcuar sundimin e ligjit, veçanërisht luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe për të promovuar zhvillimin socio-ekonomik”, thuhet në deklaratë.

Tutje në deklaratë thuhet që BE mirëpret një rifillim të shpejtë të dialogut Beograd-Prishtinë , me mbështetjen e Përfaqësuesit Special të BE, Miroslav Lajçak, e cila sipas BE është thelbësore për të arritur një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë.

“Dialogu i lehtësuar nga BE është mënyra e vetme për ta kthyer të ardhmen evropiane të Kosovës në një realitet për qytetarët e saj”, përfundon deklarata.