Pas ngritjes së aktakuzës për helmimin në Deçan, reagon KRU "Hidrodrini"

Kompania Regjionale e Ujësjellësit “Hidrodrini” ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës ndaj dy zyrtarëve të kësaj kompanie.

“Hidrodrini” është zotuar se do të bashkëpunojë me të gjitha organet e hetuesisë deri në zbardhjen finale të rastit të helmimit të qytetarëve deçanas me ujë të pijshëm.

“Mbi pretendimet e prokurorisë, KRU “Hidrodrini” zotohet për transparencë me të gjitha organet e hetuesisë dhe me opinionin deri në zbardhjen e së vërtetës së shkakut për rastin në fjalë”, thuhet në komunikatën e kompanisë së ujësjellësit.

Kompania KRU “Hidrodrini” ka lutur të gjitha mediat që deri në vendimin final të gjykatës të tregojnë korrektësi në trajtimin e temës.

Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të kompanisë së ujësjellësit “Hidrodrini” në Pejë, në lidhje me dyshimet për helmimet që kanë ndodhur nga uji, vitin e kaluar në Deçan.

Në muajin korrik të vitit 2021, më shumë se 1,500 persona nga fshatra të Deçanit dyshohet se u helmuan nga uji i pijes.

“Ju njoftoj se pas një hetimi intensiv disa-mujorë në çështjen penale që ka të bëjë me helmimet e 1,500 qytetarëve të Komunës së Deçanit dhe fshatrave përreth ngritet aktakuzë kundër dy zyrtarëve të “Hidororini” në Pejë, drejtorit të departamentit përkatës për vepër penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, mosevitimi i rrezikut”, tha prokurori Dorjan Juniku në një konferencë për media.

Prokurori ka shtuar se 872 qytetarë kanë pasur simptoma për helmim nga uji i pijshëm.

Prokurori Juniku tha se uji ka pasur bakterie dhe nuk ka pasur testime ose testime shumë të pakta të kontrollit të ujit.

Ai ka theksuar se dy zyrtarët serbë që ishin dyshuar në fillim, ka rezultuar se të njëjtit nuk janë të përfshirë në rastin në fjalë.