Komuna e Gjilanit, Foto: Komuna e Gjilanit

Pas interesimit të KALLXO.com, Komuna e Gjilanit anulon punësimin e dhjetëra ‘konsulentëve’

Komuna e Gjilanit këtë muaj kishte planifikuar që t’i punësojë dhjetëra konsultentë për fusha të ndryshme, por për disa pozita Komuna i kishte shpallur në kundërshtim me rregulloren e prokurimit për angazhimin e ekspertëve përmes tenderëve.

Komuna u detyrua që ta anulojë tenderin më 15 prill, pasi KALLXO.com kishte dërguar pyetje në Komisionin Rregullativ të Prokurimit, nëse ky tender është në përputhje me rregulloren e KRPP-së. KRPP-ja pas kësaj, kishte rekomanduar Komunën e Gjilanit që ta vlerësojë edhe një herë tenderin për disa pozita.

Komuna, këtë tender e kishte hapur duke u thirrur në mundësinë që ka lënë Ligji për Zyrtarët Publik që ekspertët të angazhohen me kontrata për shërbimeve përmes tenderëve.

Në tenderin e hapur më 5 prill të këtij viti, Komuna e Gjilanit tenderin e kishte ndarë në 44 pjesë për pozita të ndryshme.

Profilet që planifikoheshin të angazhohen ishin: Inxhinier i Komunkacionit, zyrtarë Financiar, zyrtar i Hidros, zyrtar për Infrastrukturë, zyrtar ligjor për përkrahje të biznesevet, zyrtar për diasporë, zyrtar administrativ në Drejtorinë e Arsimit, zyrtar ligjor, koordinator për marrëdhënie kontraktuale, recepsionist, inspektor i mbrojtjes së mjedisit, inspektor ndërtimi dhe të tjera.

Ligjit për Zyrtarët Publik dhe një rregullore e veçantë e Komisionit Rregullativ të Prokurimit ju ka mundësuar institucioneve që të angazhojnë me kontrata për shërbime ekspertë të fushave të ndryshme përmes tenderëve.

Por, KRPP-ja ka dhënë sqarime se punësimet përmes tenderëve mund të bëhen vetëm për profile që stafi aktual i institucioneve nuk i plotësojnë.

“Konsulenti/ Kontraktori individual është një specialit për një fushës specifike i angazhuar nga AK në rolin e një këshilluesi”, thuhet në udhëzimin e bërë nga KRPP-ja për institucionet.

Komuna për këto punësime kishte planifikuar t’i shpenzojë 211,116 euro dhe data e fundit për aplikim ishte deri më 18 prill.

Në arsyetimin e Komunës ishte përmendur mungesa e punëtorëve në disa drejtori.

Por, pas kësaj, KALLXO.com, më 12 prill, ka dërguar pyetje në drejtim të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për të marrë një përgjigje, nëse ky tender është në përputhje me rregulloren që e ka nxjerrë KRPP.

KRPP më 13 prill tha për KALLXO.com, se është duke e hetuar rastin.

“Po e kemi parë publikimin e tenderit në fjalë dhe jemi duke e trajtuar në bazë të kompetencave ligjore të cilat na i lejon LPP në fuqi. Për veprimet e më tejme do të njoftoheni me kohë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Pas kësaj, KRPP më 15 prill ka njoftuar se i kanë dhënë rekomandim Komunës së Gjilanit që të vlerësojë edhe një herë nëse tenderi është në përputhje me rregulloren për shërbimeve të veçanta si dhe për disa nga pozitat kanë konsideruar se mund të rekrutohen përmes Ligjit për Zyrtar Publik.

“Lidhur me prokurimet për shërbime të veçanta, KRPP ka hartuar rregullore të veçanta si dhe me datë 02.02.2021 ka nxjerr edhe një njoftim zyrtar lidhur me ketë çështje,  i cili specifikon se: Këto rregulla aplikohen vetëm për prokurimin e shërbimeve të veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtar Publik nr. 06-L-114”, thuhet në rekomandim.

“Ne rekomandojmë Autoritetin Kontraktues Komuna e Gjilanit, të vlerësoj edhe njëherë se: aktiviteti i prokurimit, a është në përputhje me rregulloren për shërbime të veçanta si dhe me njoftimin e KRPP-së të datës 02.02.2021. Bazuar në përshkrimin e titujve të cilët synohet të rekrutohen si p.sh. Zyrtar Ligjor, Zyrtar Financiar, etj. konsiderojmë se këto pozita mund të rekrutohen sipas ligjit për Zyrtar publik”, thuhet më tej.

Pas kësaj, Komuna e Gjilanit, të premten më 15 prill, ka njoftuar se e ka anuluar tenderin pas rekomandimit të KRPP-së.

“Komuna e Gjilanit vendos ta anuloj aktivitetin e prokurimit duke u bazuar në rekomandimin e KRPP të datës 13.04.2022: Shërbime Konsulente individuale për nevoja të Komunës së Gjilanit”, thuhet në njoftimin e Komunës në e-prokurim.

KALLXO.com pati dërguar pyetje më 15 prill në Komunën e Gjilanit nëse do ta marrin parasysh rekomandimin e KRPP-së si dhe a kanë qenë në dijeni se për disa pozita mund të hapet konkurs i rregullt, por deri në publikimin e artikullit nuk kemi pranuar përgjigjje.