Pas hapjes së bisedimeve për anëtarësim, Hungaria e bllokon ndihmën multimiliardëshe për Ukrainën  

Udhëheqësit evropianë janë dakorduar t’i hapin bisedimet e anëtarësimit në BE me Ukrainën, në një vendim ky i cili u mirëprit si një “fitore” nga presidenti i vendit Volodymyr Zelensky, megjitahtë BE nuk ishte në gjendje të kalonte një paketë thelbësore ndihme për Kievin pasi Hungaria e bllokoi të njëjtin.

Charles Michel, Presidenti i Këshillit të BE-së, njoftoi të enjten në platformën sociale X se BE do t’i “hapë negociatat e pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë” dhe i ka dhënë Gjeorgjisë statusin e kandidatit.

Ky vendim është “një sinjal i qartë shprese për popullin e tyre dhe për kontinentin tonë”- ka deklaruar Michel.

Lajmi u mirëprit menjëherë nga udhëheqësi ukrainas, populli i të cilit është në luftë pas pushtimit shkatërrues rus që nga shkurti i vitit 2022.

Njoftimi nga Këshilli Evropian vjen gati dy vjet pasi blloku i BE-së e pranoi Ukrainën si shtet kandidat, megjithëse Ukraina ka pasur ambicie për t’u bashkuar me BE për më shumë se një dekadë.

Ky vendim i dërgon një mesazh të fortë presidentit rus Vladimir Putin pas shqetësimeve se Perëndimi e ka humbur interesin për ta mbështetur Kievin në luftën e tij kundër forcave pushtuese të Moskës.

Megjithatë, liderët evropianë nuk qenë në gjendje të nënshkruanin një paketë ndihme multimiliarëshe financiare për Ukrainën, pasi Hungaria ishte vendi i vetëm që shprehu kundërshtimin, sipas kryeministrit holandez Mark Rutte.

Rutte tha se është rënë dakord që bisedimet për financimin të rifillonin në fillim të vitit 2024.

Sipas Rutte nga 27 vende anëtare të BE-së, 26 ranë dakord për financimin e Ukrainës, por se “kryeministrti hungarez, Viktor Orban, nuk është ende në gjendje ta bëjë këtë. Shpresoj se do ta bëjë vitin e ardhshëm”.

Orban dhe qeveria e tij kanë qenë gjithmonë aleati më i afërt i Kremlinit brenda bllokut të BE-së.

Sipas Reuters, marrëveshja e financimit për Ukrainën kap vlerën e 50 miliardë eurove./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala