Mbledhja e Kuvendit Komunal të Lipjanit, Foto: Youtube

Tensionet në seancën e Kuvendit Komunal të Lipjanit, flasin protagonistët

Kuvendi Komunal i Lipjanit gjatë seancës së rregullt të enjten ka pasur një situatë tensionuese, kur asamblistja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Kelmendi është përfshirë në diskutime të ashpra me kryesuesin e Kuvendit, Daut Azemi.

Pas mbledhjes, Kelmendi e ka akuzuar Azemin se e ka ofenduar atë.

Ndërsa Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Azemi i cili i kishte thënë Kelmendit “Mbylle gojën ose del jashtë”, thotë se situata ka qenë e provokuar.

Këto diskutime kanë ndodhur në pikën e rendit të ditës kur po votohej për themelimin e ndërmarrjes “Ulpiana”, që ka për qëllim shërbimet komunale, për të cilën opozita vlerëson se ka prapaskena dhe kurdisje politike, në prag të zgjedhjeve lokale.

Një ditë pas ngjarjes, asamblistja e LVV-së, Albulena Kelmendi një prononcim për KALLXO.com ka thënë se Azemi i ka ofenduar atë dhe asamblistë të tjerë të LVV-së.

“Në seancën e djeshme të Kuvendit Komunal të Lipjanit, kur po jepnim opinionin tonë në lidhje me inicimin e procedurave për themelimin e ndërmarrjes publike ‘Ulpiana’ sh.a., kryesuesi i këtij kuvendi, Daut Azemi, në ekzaltim të pashpjegueshëm, na u drejtua me fyerje e gjuhë degraduese kundrejt neve, duke përdorur padrejtësisht mikrofonin për të bëre diskurs fyes politik me gjuhë pezhorative e joparlamentare, duke na quajtur ‘rrenca e shpifsa’, e duke u munduar të na heshtë me kërcënime se do na nxjerrë jashtë. Kësisoj, ai filloi të shërbehej me fjalë tjera kërcënuese si ‘mbylle gojën’ në drejtim timin dhe fjalët “nuk ju lejoj me kallë shtetin qysh jeni msu’”, tha ajo.

Sipas Kelmendit, kjo nuk është hera e parë që kanë pasur situata të tilla me kryesuesin.

“Nuk është hera e parë që ky kryesues e përdorë të drejtën e fjalës për diskutime të tilla, duke e shpërdoruar atë dhe pozicionin e rëndësishëm publik të cilin mban. Normalisht, kjo bëhet akoma më e pafalshme kur një qasje e tillë përdoret kundrejt një gruaje, si një kategori e margjinalizuar e që ka nevojë për mbështetje.

Deri më tani nuk ka pasur asnjë lloj kërkim falje nga ana e z. Azemi, çka tregon për mungesën e reflektimit nga ana e tij”, tha ajo.

Kurse, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Lipjanit, Daut Azemi, ka thënë për KALLXO.com, se situatën e kanë provokuar asamblistët e LVV-së.

“Unë nuk shquhem zakonisht për situata të tilla dhe jam shumë tolerant në Kuvend dhe ndoshta shpesh e tejkaloj rregulloren e punës duke ua lejuar më shumë diskutimin anëtarëve të Kuvendit. Për këtë edhe shpesh opozita më ka falënderuar, në kuptimin kolegial. Ata e kanë provokuar një situatë të tillë dhe e kanë planifikuar me më qitë mua në një situatë të tillë, por në momente të caktuara njeriu mundet nganjëherë mos me qenë vetvetja”, shtoi ai.

Azemi ka shtuar se fillimisht ka replikuar me asamblistin e LVV-së, Shkëlzen Bislimi, e që më pas sipas tij ka ndërhyrë asamblistja Kelmendi.

“Kur e ka marrë fjalën, gjatë fjalimit, ka thënë fjalë ofenduese dhe fyese, ka thënë që “ju keni vjedhë, keni bo kështu, që 20 vjet”, si zakonisht i kanë shprehjet e tyre. Kur e ka përfunduar unë kam fol, gjatë kësaj, tre asamblistë janë ngritë në këmbë dhe kanë fol. Unë i kam lutur më dëgju, me përfundu fjalinë dhe pastaj më fol ata. Ata janë ngritur dhe e kanë provokuar situatën”, tha Azemi.

“Nuk kam mundur më pas të shihem me ta dhe të sqarohen sepse kanë dalë nga salla”, shtoi ai.

Sa i përket transmetimit të seancës së Kuvendit Komunal të së enjtes, në ueb faqen e komunës, nuk mund të gjendet pjesa e plotë e diskutimeve pasi përfundon transmetimi.

Për këtë, nga Komuna e Lipjanit kanë thënë për KALLXO.com se kanë pasur probleme teknike në ngarkimin e plotë të videos, si dhe transmetimi ka pasur pengesa edhe gjatë fillimit të mbledhjes.

Përplasja për ndërmarrjen “Ulpiana”

Sa i përket ndërmarrjes “Ulpiana”, kryesuesi Daut Aazemi ka thënë se ajo është në interes të qytetarëve.

“Ka qenë vetëm një fillim i procedurave që është votuar, për themelimin e kompanisë dhe ne kemi pritur që kësaj qasje do t’i gëzohej edhe opozita dhe kanë me na kritiku që ne jemi vonuar me atë vendim që e morëm dje. Kjo do të merret me shërbimet komunale, që kryhen në të mirë të qytetarëve që janë, pastrimin e varrezave, mirëmbajtje e objekteve e të tjera. Janë 13 pika”, tha ai për KALLXO.com.

Por për këtë projekt asamblistja Kelmendi thotë se janë të bindur që ekziston një prapaskenë zgjedhore që e përcjellë këtë veprim.

“Bëhet fjalë për një ndërmarrje publike me një gamë të gjerë fushëveprimi, e cila ka për qëllim premtime elektorale dhe rehatim të militantëve e elektoratit si blerje e votës. Një ndërmarrje që iniciohet tash kur mandati ekzekutivit aktual është në fundin e tij, pa asnjë analizë paraprake e studim fizibiliteti, krijon konfuzitet e paqartësi tek ne, e si e tillë lë hapësirë për prapaskena e kurdisje”, tha ajo.