Paqartësitë se a punoi bufeja e Qeverisë përkundër masave të vendosura

Ditën e hënë, Qeveria e Kosovës kishte nxjerrë vendimin për masat e reja për mbrojtje nga COVID-19.

Një nga masat më të përfolura ishte ajo e mbylljes së lokaleve të gastronomisë, duke e reduktuar punën e tyre vetëm në shërbimin “Merr me vete”.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, publikoi një video sot gjatë ditës, në të cilën shiheshin disa persona duke qëndruar në një bufe.

Kllokoqi kishte shkruar se pamjet janë nga ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

“Përderisa Gastronomia është mbyllur. Ka kush na zëvendëson: Bufe-ja e Qeverise së Kosovës”, kishte shkruar Kllokoqi mbi videon e publikuar në Facebook e tij.

Pak minuta më vonë kishte reaguar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili kishte dërguar fotografi të bufesë së Qeverisë, duke thënë se ajo nuk ka funksionuar më 7 prill.

“Pamjet në një video incizim që po qarkullon në rrjetet sociale, nuk janë nga bufeja e ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës. Pamja e bufesë së Qeverisë është kjo në fotot e mëposhtme”, ka shkruar Kryeziu i cili ka publikuar edhe fotografi.

Disa orë më vonë, Kllokoqi ka shkruar përsëri duke thënë se bufeja është në njërën nga ndërtesat e ministrive.

“Qeveria e Kosovës ka 15 Ministri gjithsej. E njëra nga to është edhe Ministria e Mjedisit dhe Infrastrukturës, prej nga ka rrjedh edhe video e publikuar sot”, ka shkruar Kllokoqi në Facebook.

“Nga burimet tona edhe bufe-ja në objektin e Rilindjes ka qenë e hapur. Ndoshta në Kryeministri paska qenë e mbyllur”, ka shkruar tutje Kllokoqi.

KALLXO.com ka provuar të marrë një koment nga Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Liburn Aliu, por deri më tani nuk kemi marrë përgjigje.