Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pakënaqësi në PDK rreth emrave të propozuar për kryesinë e re

Zyrtarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Ismaili, ka reaguar në lidhje emrat të cilët po përfliten se janë pjesë e kryesisë së re të PDK-së.

“Si prurje e partisë, jam shumë e pakënaqur dhe shpreh revolten time me shumë emra të përfolur dhe të etabluar në strukturen e re udhëheqëse në parti. Është e pakuptimtë që figurat zbehëse të votes pro-PDK të sistemohen sërish. Dhe emrat “e rinj” janë larg më të dobët se që pritej, dhe aspak premtues për nevojat aktuale të partisë. Kjo do të ketë kosto. Dhe jam e bindur se ka mundësi për më shumë dhe për shumë më mirë. Ky është dhe do të jetë alarmi im publik”, ka shkruar Ismaili në një postim në profilin e saj në Facebook.

Sipas Ismailit, prurjet e ish- kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, kanë qenë vizionare ndërsa përmendi edhe bashkimin e saj me këtë parti nga e cila u bë edhe deputete mandatin e kaluar.

“Uragani i padrejtësisë që e mori atë në Hagë, pafuqizoi edhe aktivitetin tim. Por natyrisht, aktiviteti im politik do të jetë në shërbim të Partisë Demokratike të Kosovës, si institucion, si emanet i brezave që po përballen me padrejtësinë ndërkombëtare”, shkruan tutje Ismaili.

Ajo ka shkruar edhe se pavarësisht vendimit se e njëjta nuk do të jetë pjesë në strukturën e re të udhëheqjes së PDK-së nuk do të ndalojë së punuari.

“Do të vazhdoj parreshtur dhe besnikërisht të jem konstruktive. Kryetari Veseli do të më gjej aty ku dhe si më ka lënë: parimore, me integritet, e artikuluar dhe e zëshme ndaj padrejtësive dhe gabimeve, kontribuese dhe vetmohuese, në shërbim të qytetarëve, strukturave dhe aktivistëve të PDK-së”, shkruan ajo.

Ismaili tregon se do të angazhohet në avokimin ndërkombëtar për pjesëtarët e UÇK-së, disa prej të cilëve tashmë gjenden në Hagë.

“Natyrisht aktiviteti im politik vazhdon edhe më fuqishëm dhe do të ketë fokus avokimin e opinionit ndërkombëtar për daljen faqebardhë të çlirimtarëve. Liria e tyre është misioni ynë, misioni im, dhe do të duhej të ishte edhe mision i institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Ismaili.

Deri më tani Partia Demokratike e Kosovës nuk ka publikuar zyrtarisht strukturën e re udhëheqëse të saj.