Pacolli pas aktakuzës ndaj Thaçit dhe Veselit: UÇK-ja luftoi një luftë të drejtë

Lideri i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka deklaruar se beson në pafajësinë e presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

Ky reagim vjen pasi ndaj Thaçit dhe Veseli është ngritur aktakuzë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për krime kundër njerëzimit.

“Kosova ka luftuar për çlirim dhe pavarësi kundër Serbisë. Gati një shekull ishim shtypur dhe vrarë nga Serbia. Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi një luftë të drejtë. Unë besoj në pafajësinë e Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit Kadri Veselin. UÇK-ja luftoi një luftë të drejtë. Ne të gjithë besojmë në pafajësinë e ushtarëve tanë”, ka shkruar Pacolli në rrjetin social “Facebook”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-Kryeparlamentarit Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare, më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në Aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.