Osmani: Në këto momente, Kosovës i duhet maturi, unitet, bashkëpunim e urtësi

Pas aktakuzave të ngritura ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe liderit të PDK-së, Kadri Veseli, kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani ka thënë se në këto momente Kosovës i duhet drejtësi, e që kjo e fundit, sipas saj, të kryej punën në mënyrë të pavarur dhe pa presion.

“Në këto momente, Kosovës i duhet maturi, unitet, bashkëpunim e urtësi. I duhet edhe mbrojtje e dinjitetit, integritetit e imazhit shtetëror. Por mbi të gjitha, Kosovës i duhet drejtësi. Drejtësia duhet të kryej punën në mënyrë të pavarur e pa presion”, ka shkruar kryeparlamentarja në rrjetin social “Facebook”.

“Serbia ende nuk është përgjigjur për krimet e llahtarshme kundër civilëve të pafajshëm në Kosovë. Serbia është shtet gjenocidal. Dhe këtë duhet ta themi sot e çdo ditë, në Kosovë, në SHBA, në Evropë e çdokund në botë”, ka shkruar tutje ajo.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-Kryeparlamentarit Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare, më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në Aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë