Behgjet Pacolli I Foto: MPJ

Pacolli: Beogradit dhe Vuçiçit po i pengon që koalicioni ynë ka kaluar pragun

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, partia e të cilit në zgjedhjet e 6 tetorit garoi në koalicion me Nismen Socialdemokrate dhe Partinë e Drejtësisë, ka shkruar në Facebook se është shqetësuese që votat e ardhura nga Serbia po merren në konsideratë.

Pos të tjerash Pacolli ka shkruar se koalicioni tashmë ka kaluar pragun dhe se numërimi i votave të ardhura nga Serbia do ta deformonte vullnetin e qytetarëve.

“Skandali me votat e parregullta të serbëve mund ti kushtojë Kosovës. Nga numërimi i deritanishëm i votave koalicioni Nisma-AKR-PD ka aktualisht 5.05% dhe ka kaluar pragun. Veprimet e sotme përmes tentimit që votat e parregullta të procedohen e të numërohen është tentim për të deformuar vullnetin e qytetarëve. Votimi në Serbi nuk lejon që fletëvotime të tilla të dorëzohen në posten e Kosovës nga Zyra e Serbisë në Kosovë përmes orkestrimit nga Beogradi, por duhet të vijnë përmes postës, në KQZ të Kosovës. Në zarfe duhet të ekzistojë vula e origjinës prej ku është dërguar vota. Kjo është një shkelje e ligjit dhe ne do të ndërmarrim hapa ligjorë për të parandaluar shkeljen e procedurave. Beogradit dhe Vuçiçit po i pengon që koalicioni ynë ka kaluar pragun dhe nuk lejojmë me votat e tij te manipuluara dhe ilegale të deformohet vullneti qytetar, ka shkruar Pacolli.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), sot ka nisur shqyrtimin dhe vlerësimin e zarfeve me fletëvotime që kanë ardhur nga Serbia.

KALLXO.com sot ka raportuar se zyrtarë të KQZ-së dhe ekspertë të forenzikës kanë hapur dyert e sallës në Ministrinë e Infrastrukturës në të cilën janë të vendosura zarfet me fletëvotime të ardhura nga Serbia, për të cilat ka pasur dyshime për helm.

Ndërkaq, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për KALLXO.com, se vlerësimi i zarfeve është i domosdoshëm pasi ka për qëllim të identifikojë një fletëvotim me personin që e ka dërguar pakon.