FOTO: KALLXO.com

Limaj: Ashtu siç kemi thënë, do të jemi pjesë e Kuvendit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se pas përfundimit të rinumërimit të mbi 1400 votave, partia e tij së bashku me partitë AKR dhe PD që janë në koalicion, do të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Sipas Limajt, ky ka qenë edhe vullnet i qytetarëve të Kosovës.

“Pas përfundimit të rinumërimit të mbi 1 400 vendvotimeve dhe numërimit të të gjitha votave të rregullta, vullneti i qytetarëve të Kosovës u lexua. Nisma dhe koalicioni ynë do të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Tanimë mund të flasim për një rezultat të rregullt zyrtar”, ka shkruar Limaj në Facebook.

Ai ka thënë se për këtë çështje kanë qenë të sigurt qysh nga fillimi.

“Me këtë rast, falënderojë anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e koalicionit tonë për mbështetje në këtë garë zgjedhore. Ashtu siç kemi thënë nga fillimi Nisma dhe koalicioni ynë do të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës falë votës dhe mbështetjes se mbi 42 mijë votuesve. Urime të gjithë votuesve të koalicionit tonë”, ka shtuar Limaj.

Nisma nga rezultatet e publikuara të KQZ-së, para se të vendoste PZAP për rinumërim kishte 42.072 vota apo 4,984% dhe nuk e kishte kaluar pragun.

Por, pasi sot ka përfunduar rinumërimi i mbi 1400 votave, kjo parti konsideron se e ka kaluar pragun me mbi 30 vota. Ndërsa KQZ-ja ka thënë se nuk janë në dijeni nëse ka ndodhur një gjë e tillë, pasi kjo do të dihet pasi të publikohen rezultatet në uebfaqen e KQZ-së, më së largu deri nesër.

Deri te procesi i rinumërimit kishte ardhur pas vendimit të PZAP-së, e cila kishte i kishte vlerësuar si të bazuara disa ankesa të partive politike dhe kandidatëve për deputetë për rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit.

KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtare një ditë e një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 6 tetor.

Sipas këtyre rezultateve, forca politike më e madhe në vend doli Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit me 32 deputetë që u pasua nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 29 deputetë.

Njohës të proceseve zgjedhore në vend kanë vlerësuar se konstituimi i Kuvendit dhe votimi i Qeverisë mund të ndodhë gjatë muajit dhjetor të këtij viti.