Nisma Socialdemokrate - Foto: Facebook

Reagon NISMA pas vendimit të PZAP për votat e Listës Serbe

Sekretari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka reaguar pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka pranuar si të bazuar ankesën e NISMA-AKR-PD kundër votave të Listës Serbe.

Sherifi për KALLXO.com ka thënë se me këtë vendim PZAP e ka kthyer ligjshmërinë në vend.

“Së pari, PZAP e ka kthyer ligjshmërinë në vend, sepse ne vazhdimisht kemi thënë se me vota të ligjshme të ardhura në mënyrë të ligjshme, NISMA është pjesë e Kuvendit. Asnjëherë s’kemi pasur dyshime për këtë. Vazhdojmë të mbesim pranë kësaj se do të mbetemi pjesë e kuvendit me vota të ligjshme”, ka shtuar Sherifi.

I pyetur në mundësinë e ankimimit të Listës Serbe në Gjykatën Supreme, ai ka thënë se nuk i  intereson kjo çështje.

“Sot kjo më intereson, jo çështjet e tjera”, tha Sherifi.

Paneli për Ankesa dhe Parashtresa sot ka njoftuar se e ka pranuar si të bazuar ankesën e koalicionit Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë. PZAP gjithashtu vendosi edhe për rinumërimin e 1 mijë e 472 vendvotimeve.

“PZAP-i 53 ankesa i ka pranuar të bazuara prej tyre lidhur me 52 ankesa paneli ka vendosur që të urdhëroj KQZ-në, për rinumërimin e 1472 vendvotimeve. Ndërsa lidhur me ankesën e parashtruar nga KoaliÇioni Nisma – AKR – PD, ka vendosur që të pranoj të bazuar ankesën dhe ka urdhëruar KQZ-në, që të largoj nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës të ardhura nga Serbia”, thuhej në njoftim.

PZAP pranon ankesën e NISMA-AKR-PD kundër votave të Listës Serbe

www.kallxo.com