Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Pa opozitën miratohet Strategjia e Energjisë 2022 - 2031

Deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje e kanë miratuar Strategjinë e Energjisë të Republikës së Kosovë për periudhën 2022-2031.

Më 59 vota për, dhe 2 kundër, deputetët kanë arritur ta miratojnë Strategjinë e Energjisë.

Kuvendi sot po vazhdon punimet pa prezencën e opozitës të cilët e lëshuan sallën pas ndryshimit të rendit të ditës.

Ministria e Ekonomisë në qershor të 2022-tës e ka publikuar Strategjinë për Energji 2022-2031. Në këtë Strategji parashikohen investime qindra milionëshe në prodhimin e energjisë nga termocentralet, përkatësisht nga thëngjilli.

Kuvendi sot ka miratuar në parim edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin për procedurën e përgjithshme administrative, ai për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit si dhe Projektligji për konfliktet administrative.

Kuvendi në parim ka miratuar edhe Projektligjin për ekspertët gjyqësorë, atë për sistemin qendror të evidencës penale të Kosovës si dhe Projektligjin për rregullat e trafikut rrugor.

Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, të propozuar nga PDK-ja është bartur për një seancë tjetër. Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se shqyrtimi i saj shtyhet në mungesë të propozuesit në seancë.

Ndërsa, tri marrëveshjet ndërkombëtare janë bartur për një seancë tjetër përmes një mocioni procedural të paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje nën arsyetimin se nuk ka vota të mjaftueshme për t`i ratifikuar këto marrëveshje.

Deputetët e Partive opozitare, LDK, PDK dhe AAK kanë lëshuar sallën e Kuvendit të Kosovës në seancën e cila në rend dite ka shqyrtimin e pikave të papërfunduara.

Opozita ka shprehur pakënaqësi për mungesën e kuroumit për miratimin e pikave të rendit të ditës.

Kuvendi ndryshon rendin e ditës, opozita lëshon sallën