
Kuvendi ndryshon rendin e ditës, opozita lëshon sallën
Deputetët e Partive opozitare, LDK, PDK dhe AAK kanë lëshuar sallën e Kuvendit të Kosovës në seancën e cila në rend dite ka shqyrtimin e pikave të papërfunduara.
Opozita ka shprehur pakënaqësi për mungesën e kuroumit për miratimin e pikave të rendit të ditës.
Sipas shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, është e pakuptimtë që brenda 1 ore e gjysmë pune të Kuvendit të mos miratohet asnjë pikë.
“Që 1 orë e gjysëm jemi këtu, dhe nuk po mundemi ta kalojmë asnjë pikë të vetme. Kjo është e papranueshme. U munduam t’ju japim mbështetje te marrëveshjet ndërkombëtare, prapë si keni 61 deputetë”- ka thënë Tahiri.
Ndërsa, kreu i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se është sjelle e papërgjegjshme e grupit parlamentar të Vetëvendosjes heqja nga rendi i ditës i marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Në vazhdën e sjelljes së papërgjegjshme të GP të Vetëvendosjes duke i spostuar marrëveshjet ndërkombëtare nga rendi i ditës, e bën të pamundur punën e Kuvendit, ne si Grup parlametar nuk do të vazhdojmë këtë seancë”- ka thënë Gashi.
Partitë opozitare pas këtyre deklarimeve kanë lëshuar sallën e Kuvendit të Kosovës.
Kuvendi me kërkesë të Vetëvendosjes ka hequr nga rendi i ditës votimin e tri marrëveshjeve ndërkombëtare, pasi nuk kanë arritur të sigurojnë 2/3 e deputetëve për ratifikimin e tyre.
Në sallë ka pasur kuorum për votimin e tyre, por në qëndrimet e mëhershme Grupi Parlamentar i LDK-së ishte deklaruar se nuk do të marr pjesë në votimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”.
Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari- Lila ka propozuar një mocion për zhvendosjen e tri pikave të para të rendit të ditës, që janë marrëveshje ndërkombëtare, në fund të rendit të ditës.
Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar që nga rendi i ditës të largohet vetëm pika e parë.
“Pika e parë të spostohen dy marrëveshjet e tjera kemi kuorum dhe mund t’i votojmë”, është shprehur Tahiri.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë e është e paqartë se çfarë po kërkon propozuesja e mocionit.
“Ajo propozoi mocion derisa në sallë të bëhen 80 deputetë, në sallë janë 82 deputetë”, është shprehur Gashi.