OVL kritikon Komunën e Pejës për gabim të emrave të heronjve

 

 

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Pejë  ka kritikuar Komunën e Pejës, pasi sipas tyre nuk kanë ditur të shkruajnë emrat e dy rrugëve.

Organizata quan analfabet zyrtarët e institucioneve komunale të Komunës së Pejës pasi që nuk kanë dijeni t’i shkruajnë emrat e rrugëve.

“Analfabetizmi i institucioneve komunale të Komunës së Pejës! Nuk kanë dijeni t’i shkruajnë as emrat e Heronjve të Kombit”, thuhet në postimin e faqes në rrjetin social “Facebook”.

Sipas Organizatës, në listën e dëshmorëve nuk ka dëshmorë të UÇK-së Ardian Krasniqi e Sali Çeku.

“Heronjtë tanë janë ADRIAN KRASNIQI nga Vranoci dhe SALI ÇEKAJ nga Broliqi”, u tha më tutje.

KALLXO.com ka kontaktuar me shefin e zyrës për informim Publik në Komunën e Pejës, Arianit Demaj në lidhje me këtë çështje.

“Këto tabela janë vendosur para pesë vitesh ndërsa tani në kohë fushate po ju bjen në mend m`u marrë me këtë”, tha Demaj.

Sipas tij, ka gabime drejtshkrimore mirëpo nuk është në përgjegjësi të Komunës mirëpo të Kompanisë që e ka fituar tenderin.