Pamje nga takimi Osmani – Pendarovski. Foto: ZPRK.

Osmani takoi presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar sot homologun e saj nga Maqedonia e Veriut, Stevo Pendarovski.

Takimi i Osmanit me presidentin maqedonas është bërë në kuadër të Samitit, Bërdo-Brione i cili po bahet në Shkup.

Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur se presidentja Osmani në këtë takim, rikonfirmoi përkushtimin për vazhdimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme e të qëndrueshme me Maqedoninë e Veriut dhe potencoi se të dy shtetet kanë vizion të përbashkët për një Ballkan Perëndimor stabil dhe të integruar në strukturat euroatlantike.

Në këtë kontekst, sipas njoftimit, Osmani shtroi nevojën e vazhdimit të mbështetjes nga Maqedonia e Veriut për anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke falënderuar këtë shtet për përkrahjen e deritanishme.

“Presidentja Osmani tha se me mbështetjen e shteteve mike Kosova mund të arrijë avancim përmbajtjesor në procesin e anëtarësimit në BE dhe në NATO dhe se ecja përpara e vendit tonë në këtë rrugë i kontribuon edhe paqes dhe stabilitetit afatgjate në rajon”- thuhet në njoftim.

Po ashtu sipas njoftimit Presidentja Osmani e njoftoi homologun, Pendarovski lidhur me hapat e ndërmarrë nga Kosova për deeskalimin e situatës në veri të vendit dhe theksoi nevojën e një përgjigjeje të unifikuar kundër përpjekjeve destablizuese të satelitëve të Rusisë si dhe kundër grupeve të krimit të organizuar.

Gjatë këtij takimi të dy presidentët theksuan rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve politike, ekonomike dhe kulturore ndërmjet dy vendeve të tyre, si dhe shprehën përkushtimin e ndërsjellë për promovimin e paqes dhe stabilitetit rajonal.

Pamje nga takimi Osmani – Pendarovski. Foto: ZPRK.