Osmani takohet me presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, flasin edhe për situatën në veri

Presidentja Kosovës, Vjosa Osmani, në vazhdën e takimeve bilaterale në kuadër të Procesit Bërdo-Brijuni është takuar edhe me presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq.

Në këtë takim, të dy liderët diskutuan edhe mbi situatën në Kosovë dhe rajon, duke ritheksuar angazhimin për paqe e stabilitet.

“Osmani e informoi Presidentin Milanoviq lidhur me sfidat e sigurisë në veri të vendit të cilat po shkaktohen nga strukturat ilegale që organizohen, paguhen dhe nxiten nga Serbia”- thuhet në njoftim.

Ajo ka theksuar se Kroacia është një ndër aleatët kyç të Kosovës në rajon dhe strukturat euroatlantike duke shprehur mirënjohjen e saj për gjithë mbështetjen që Kroacia ka dhënë për fuqizimin e shtetit të Kosovës.

Po ashtu, Osmani ka ritheksuar synimin e Kosovës për anëtarësim në BE, NATO si dhe në Këshillin e Evropës, ku për momentin është duke u trajtuar aplikacioni i Kosovës në kuadër të Asamblesë Parlamentare. Mbështetjen nga Kroacia ajo e vlerësoi si kyqe në të gjitha këto procese.

“Takimi i të dy presidentëve në kuadër të Procesit Bërdo-Brijuni u përqendrua  edhe në përkushtimin e Kosovës dhe Kroacisë për nxitjen e bashkëpunimit rajonal, adresimin e çështjeve jetike si integrimi evropian, perspektiva e të rinjve dhe tema të tjera të interesit të dyanshëm”- ka njoftuar Zyra e Presidencës.

Tutje tuhet se Osmani dhe presidenti Milanoviq, ndër të tjera në takim diskutuan dhe shprehën gatishmëri për ta rritur bashkëpunimin në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, ekonomisë, si dhe në sfera të tjera.