Osmani replikon me Grenellin: Njohja e Kosovës nga Serbia nuk është simbolikë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka replikuar sot me të dërguarin special të presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë- Serbi, Richard Grenell në një seri deklaratash në “Twitter”.

Osmani iu përgjigj Grenellit pas kritikave të tij për retorikë simbolike, duke i thënë se njohja e Kosovës nga shteti serb, nuk është simbolikë.

Ajo, po ashtu tha se delegacioni i Kosovës në ShBA ku dje u nënshkruan marrëveshjet me Serbinë, nuk ishte transparent

Këto kundërshtime vijnë vetëm pak orë pasi, Grenell kundërshtoi në Twiterr Osmanin rreth marrëveshjes së nënshkruar nga kryeministri Avdullah Hoti në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se politikanët duhet të punojnë më shumë se të ankohen dhe se simbolika nuk sjell vende pune.

“Njohja e Kosovës nga Serbia NUK është simbolikë. Po njeh një realitet të cilin SH.B.A. ishte ndër të parët që bëri. Duke e quajtur shtetësinë tonë, i cili është një projekt i përbashkët për popullin e Kosovës dhe SH.B.A. një ‘simbolikë’ minimizon investimin dypartiak të SHBA-ve për një dekadë në Kosovë”, tha Osmani.

Ajo pati edhe një cilësim për politikat kosovar të cilët qëndruan gjatë në pushtet.

“Dakord. Simbolika nuk mund të krijojë vende pune. As politikanët e shtrembër dhe të korruptuar në Kosovë që kanë qeverisur vendin tonë dhe po shkatërrojnë ekonominë tonë për 20 vitet e fundit”, ka vlerësuar ajo.

Ajo, gjithashtu tha se delegacioni i Kosovës nuk ishte transparent në këtë proces. Ajo tha se ekipi kosovar nuk solli njohjen e Serbisë për shtetësinë e Kosovës dhe për këtë, sipas saj, duhet të marrë përgjegjësi.

“Dhe jo, ne nuk kemi luftuar me Serbinë për ‘fjalë, mbiemra dhe simbolikë” por kemi luftuar për liri, kemi luftuar kundër gjenocidit. Delegacioni i Kosovës nuk ishte transparent. Ata thanë se do të marrin njohje të ndërsjellë me Serbisë. Ata duhet të marrin përgjegjësinë për ato që premtojnë publikisht”, ka deklaruar ajo.

 

Grenell i reagon Vjosa Osmanit: Kemi nevojë për politikanë që bëjnë më shumë sesa ankohen

www.kallxo.com