Osmani: Proces i vështirë pajisja e nxënësve me libra, të gjendet një zgjidhje më efektive (VIDEO)

Sot ka filluar viti i ri shkollor, por jo të gjithë prindërit e kanë pasur të lehtë procesin e pajisjes me tekste shkollore.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një prononcim për KALLXO.com, ka thënë se shumë familje janë përballur me vështirësi të shumta për pajisjen e fëmijëve me tekste shkollore.

Osmani e ka konsideruar si mënyrë jo të duhur për pajisjen me libra këtë vit. Ajo ka konsideruar që duhet të gjendet një zgjidhje tjetër.

“Për shkak të vështirësive që kanë pasur familje të caktuara duhet të gjendet një mënyrë shumë më efektive që fëmijët kur të shkojnë në shkollë t’i kenë librat sikurse deri më tani me të cilat janë pajisur pra drejtpërdrejt nga shteti” – ka deklaruar ajo.

Nga viti i ardhshëm ajo pret që të gjenden mënyra më të lehta për familjet për pajisje me tekste shkollore të fëmijëve të tyre.

“Edhe tash janë pajisje nga shteti përveçse janë disa hapa deri te marrja e librave. Por, besoj që nga viti i ardhshëm është më mirë në qoftëse shikohen metoda të reja shumë më efektive dhe më të lehta për familjet” – ka thënë presidentja Osmani.

Procesi i sivjetmë i pajisjes së nxënësve me tekste shkollore ka hasur në kritika të shumta.

Për dallim nga vitet e kaluar, prindërit është dashur që vet t’i blejnë librat shkollorë për fëmijët e tyre.

Qeveria e Kosovës ka subvencionuar prindërit për blerjen e librave shkollorë, në shumë prej 80 eurove për fëmijët nga klasa 1-5, për libra dhe mjeteve shkollore, ndërsa nga 30 euro për fëmijët nga klasa 6-9 për blerje të materialeve shkollore.

Për të përfituar subvencionimi, prindërit duhet të aplikojnë përmes platformës e- Kosova.