Osmani: Presim që certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të ndodhë sa më shpejt

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se presin që certifikimi i rezultateve zgjedhjeve të 14 shkurtit të ndodhë sa më shpejt.

“Presim që çertifikimi i rezultateve të ndodhë sa më shpejtë dhe të respektohen të gjitha procedurat ligjore në këtë proces, në mënyrë që konstituimi i institucioneve të ndodhë sa më parë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ajo ka bërë të ditur se gjatë këtyre ditëve ka takuar ambasadorët e QUINT-it (ShBA, Gjermani, Mbretëri e Bashkuar, Francë, Itali) si dhe atë të Bashkimit Evropian.

Sipas saj, në të gjitha këto takime, është vlerësuar lart pjesëmarrja e madhe e qytetarëve të Kosovës në procesin zgjedhor të 14 shkurtit si dhe vullneti i tyre i qartë për ndryshim.

“Qytetarët e kanë ndërtuar rrugën tonë përpara, nga e cila nuk do të devijojmë në asnjë moment e në asnjë rrethanë.  Përgjatë viteve në vijim, prioritetet tona do të jenë zgjidhja e problemeve me të cilat ballafaqohen qytetarët tanë për çdo ditë, duke mbrojtur, në të njëjtën kohë, interesat e vendit tonë edhe jashtë kufijve e duke ndërtuar një imazh për shtetin me të cilin do të ndihen krenarë të gjithë qytetarët tanë por edhe aleatët tanë”, thuhet në publikimin e saj.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi tha se në fillim të javës së ardhshme KQZ-ja pritet të dalë me rezultate përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët.

Elezi shtoi se në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve po vazhdon procesi i rinumërimit të 494 vendvotimeve për të cilat ka vendosur KQZ-ja.