Osmani pas takimit me Gjukanoviq: E ardhmja e vendeve tona është anëtarësimi në BE

Me nderime të larta shtetërore, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur nga homologu i saj malazez, Milo Gjukanoviq.

Pas takimit me Gjukanoviq, Osmani ka thënë e ardhmja e dy vendeve është në Bashkimin Evropian dhe së bashku do të punohet për të realizuar këtë synim të qartë.

“Me Presidentin Đukanović diskutuam për rëndësinë e koordinimit të përbashkët për ta forcuar partneritetin në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe fuqizimin e përpjekjeve tona kundër tendencave anti-demokratike dhe destabilizuese në rajonin tonë”, ka shkruar Osmani në facebook.

Sipas presidentes Osmani, raportet në mes të të dyja vendeve janë të ndërtuara mbi frymën e respektit të ndërsjellët, bashkëpunimit dhe përkushtimit të dyanshëm për të ardhmen tonë të euroatlantike.

Osmani ka udhëtuar dje për të Mal të Zi, pas një ftese zyrtare nga Gjukanoviq.

Sipas Presidencës, në agjendën e presidentes Osmani është edhe vizita në komunën e Ulqinit dhe atë të Tuzit.

Në Ulqin, Presidentja Osmani përveç takimit me Kryetarin Omer Bajraktari, do të realizojë takime të ndara me përfaqësuesit e partive shqiptare në Mal të Zi dhe një grup intelektualësh dhe miqsh të Kosovës.

Kurse në komunën e Tuzit, pas takimit me Kryetarin Nik Gjeloshaj do ta vizitojë një nga bizneset e suksesshme të kësaj komune, i cili njëherit është edhe investimi më i madh nga Kosova.

Gjukanoviq ka vizituar Kosovën në maj të vitit të kaluar.