Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nënshkruar librin e ngushëllimeve për monarken e Mbretërisë së Bashkuar Elizabeta II, Foto: Nicholas Abbott/ Facebook

Osmani nënshkruan librin e ngushëllimeve për mbretëreshën Elizabeth II

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nënshkruar librin e ngushëllimeve për monarken e Mbretërisë së Bashkuar Elizabeta II, e cila ka vdekur më 8 shtator në moshën 96-vjeçare.

Nënshkrimin e presidentes Osmani e ka bërë të ditur ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.

“Shumë i nderuar që Vjosa Osmani nënshkroi sot pasdite librin e ngushëllimeve për Mbretëreshën e ndjerë. I jam shumë mirënjohës Presidentes që gjeti kohën për të bërë këtë në një kohë shumë të ngarkuar” – ka shkruar Abbott në Facebook.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nënshkruar librin e ngushëllimeve për monarken e Mbretërisë së Bashkuar Elizabeta II, Foto: Nicholas Abbott/ Facebook

Monarkja më jetëgjatë e Britanisë vuante nga probleme shëndetësore që nga tetori i vitit të kaluar, të cilat kanë bërë që ajo të ketë probleme për të ecur dhe qëndruar në këmbë.

Elizabeth II i ka deleguar gjithnjë e më shumë detyrat tek princi Charles dhe anëtarët e tjerë të familjes mbretërore në muajt e fundit. Ajo ishte shëruar nga infektimi me koronavirus në shkurt të këtij viti.

Charles III është bërë mbret në momentin që i ka vdekur nëna, mirëpo sipas traditave, Këshilli i Aderimit është mbledhur të shtunën dhe e ka zyrtarizuar pozitën e tij.

Ceremonia është mbajtur në Pallatin Shën James në Londër.

“Jam krejtësisht i vetëdijshëm për këtë trashëgimi të madhe dhe për detyrat e përgjegjësitë e sovranitetit që janë tani mbi mua”, ka thënë mbreti Charles III përgjatë ceremonisë.
Ai është zotuar se do të ndjekë rrugën e “nënës së tij të dashur” për t’i shërbyer kombit.