Presidentja e Kosovës në takim me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski | Foto: ZPRK

Osmani në takim me Pendarovskin: Maqedonia e Veriut partnere e Kosovës në shumë procese

Presidentja Kosovës, Vjosa Osmani në takim presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka thënë se dy shtetet kanë vizion të përbashkët për një Ballkan Perëndimor stabil dhe të integruar në BE.

Ajo ka thënë se me mbështetjen e shteteve mike sikurse Maqedonia e Veriut, Kosova mund të avancojë në rrugën e integrimit evropian.

“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës është në funksion të mbrojtjes së të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim. Kosova ka dëshmuar angazhim serioz në procesin e reformave rrënjësore, ndaj meriton ta marrë statusin e vendit kandidat në BE”- ka thënë Osmani.

Tutje në njoftimin e Zyrës së Presidentes thuhet se Osmani ka theksuar se Maqedonia e Veriut nuk është vetëm fqinje e Kosovës, por edhe partnere në shumë procese.

“Procesi i integrimit evropian është prioritet që na bashkon dhe në këtë rrugë ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë njëra-tjetrën”- ka shtuar ajo.

Ajo po ashtu ka thënë se Shqiptarët në Maqedonisë së Veriut janë urë lidhëse ndërmjet të dy shteteve dhe shtyllë e stabilitetit, por edhe e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Në njoftim thuhet se të dy liderët pohuan se ekziston potenciali për thellimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit tregtar, kulturor, të shëndetësisë, arsimit, bujqësisë, turizmit, teknologjisë informative dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët.

Osmani dhe Pendarovski kanë mbajtur një takim të mbyllur për media.

Më pas, presidenti maqedonas është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.