Osmani: Kontrata me fondacionin William Walker nuk është shkëputur por skadon këtë muaj, mediat që kanë shpifur do të paditen

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me lajmin se i ka shkëputur kontratën Willim Walkerit.

Ajo ka thënë se kontrata nuk është shkëputur por skadon këtë muaj duke shtuar se nuk ka pasur kontratë personalisht me William Walkerin por me fondacionin që mban emrin e tij.

“E pabesueshme se deri në çfarë niveli të ulët shkojnë dezinformatat lidhur me ngjarje publike në vendin tonë. Për shembull, sot thuhet se unë kam “shkëputur kontratën me z. William Walker”. E vërteta është se kontrata nuk është shkëputur por skadon këtë muaj, sipas afateve të parapara në vetë këtë kontratë. Poashtu nuk ka pasur asnjëherë kontratë me personalisht z. William Walker. Ka pasur një kontratë me fondacionin e udhëhequr nga drejtori ekzekutiv z. Hasan Salihu e cila mbanë emrin Fondacioni Walker,” ka thënë Osmani.

Osmani tutje ka thënë se Presidenca ka shprehur gatishmëri të bashkëpunimit edhe më konkret dhe më të afërt në një njoftim zyrtar dërguar drejtorit të këtij fondacioni Hasan Salihu.

“Presidenca është njoftuar nga fondacioni, në një takim zyrtar në presidencë më 17.11.2020, që asnjë cent nga kjo pagesë nuk i dërgohet personalisht z. William Walker. Në njoftimin zyrtar, dërguar këtij fondacioni, me datë 1 dhjetor, Presidenca ka shprehur gatishmërinë që të mbetet në kontakt me z. ëalker personalisht dhe citoj: “PËR TË PARË MUNDËSINË E BASHKËPUNIMIT EDHE MË KONKRET DHE MË TË AFËRT”. Z.Salihu, asnjëherë nuk është përgjigjur në këtë gatishmëri tonën”, shton Osmani.

Osmani tutje tha se kanë kërkuar edhe raportet e punës së bërë deri tani me qëllim të bashkëpunimit tutje por që asnjë nuk është dorëzuar duke shtuar tutje se asnjë dokument lidhur me këtë kontratë nuk gjendet në Presidencë.

“Po ashtu, me qëllim që të shohim mundësitë e bashkëpunimit të mëtejmë, ne kemi kërkuar raportet e punës për përiudhën e deritanishme për të kuptuar natyrën e shërbimeve të ofruara. ASNJË RAPORT NUK ËSHTË DORËZUAR dhe asnjë dokument pune lidhur me këtë kontratë nuk është gjendur në Presidencë. Ne kemi kërkuar raporte pune në veçanti për muajt nëntor e dhjetor, ashtu siç parashihet në nenin 6 të kontratës por asgjë nuk është dërguar deri më tani. Cdo mik i Kosovës do t’i ketë përherë dyert e hapura në institucionet tona, prandaj edhe siç kemi ofruar bashkëpunim deri tani do ta ofrojmë edhe tash e tutje. Ndërkaq çdo mënyrë e angazhimit do të bëhet vetëm e vetëm në përputhje me ligjin. Të gjitha mediat që kanë shpifur, do të paditen,” ka thënë Osmani.