Osmani kërkon që BE të jetë më e zëshme karshi tendencave destabilizuese të Serbisë

Zhvillimet e fundit në veri kanë qenë në qendër të takimit mes presidentes së vendit, Vjosa Osmani si dhe ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger.

Siç bëhet e ditur në njoftimin për media të Presidencës, Osmani ka ritheksuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara ta vazhdojnë koordinimin e plotë me partnerët ndërkombëtarë, ashtu siç janë koordinuar edhe deri më tani.

Po ashtu aty thuhet se presidentja Osmani kërkoi që Bashkimi Evropian të “jetë më i zëshëm karshi tendencave destabilizuese të Serbisë në Kosovë e rajon”.

Ambasadori Weidinger ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin në vend dhe rajon.

E para e vendit, Vjosa Osmani ka theksuar se Kosova pret mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë për procesin e liberalizimit të vizave, si dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

“Në kontekst të diskutimit me ambasadorin Weidinger, presidentja Osmani foli edhe për organizimin e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, në muajin tetor të këtij viti në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Të dielën e kaluar, para se të hynte në fuqi vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve serbë për në Kosovë, grupe të organizuara bllokuan rrugën në pjesën veriore të Kosovës, në Jarinje dhe Bërnjak.

Ndërsa Qeveria e Kosovës pas takimit me ambasadorin amerikan e shtyu zbatimin e këtij vendimi deri më 1 shtator.