Osmani kërkon nga Pahor t’i bindë shtetet që po hezitojnë për liberalizimin e vizave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim homologun e saj nga Sllovenia, Borut Pahor.

Në një konferencë të përbashkët, Osmani i ka kërkuar presidentit slloven Borut Pahor, që t’i bindë shtetet që po hezitojnë për t’ia hequr vizat qytetarëve të Kosovës.

“Raportet shumë miqësore me Slloveninë datojnë nga vitet e 90-ta. Sllovenia ka mbështetur përpjekjet e Kosovës për pavarësi, siç e ka mbështetur Kosovën edhe në fazën e pasluftës si në KFOR. Jemi të interesuar ta thellojmë këtë bashkëpunim më Slloveninë në siguri, arsim, shëndetësi, administratës publike, agjendës së gjelbër, kulturës, e në shumë gjëra të tjera të interesit dypalësh. Kosova e ka rrugën e qartë – rrugën euroatlanatike. Nuk ka alternative tjetër për ne përpos Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dy organizmat ku ne e kemi vendin. Dua ta potencoj sërish që liberalizimi i vizave është vonuar, dhe kjo dëmton kredibilitetin e BE-së. Ky liberalizim duhet të ndodhë sa më parë dhe nuk ka arsye për hezitime. Për këtë e falënderoj presidentin Pahorin për mbështetjen e tij të fuqishme dhe t’i kërkoj përkrahjen që t’i bind ato pak shtete që kanë hezitime sa i përket këtij procesi”, ka thënë Osmani.

Lidhur me procesin e dialogut me Serbinë, presidentja deklaroi se pala kosovare ka qenë konstruktive, por shtoi se, sipas saj pala serbe nuk është e interesuar të arrijë një marrëveshje.

“Fqinji ynë verior nuk e dëshiron një paqe në Ballkanin Perëndimor. Për këtë shpresoj që BE-ja të jetë e qartë me Serbinë. Serbia po vazhdon përmes strukturave ilegale në veri të destabilizojë Kosovën”, tha ajo.