Osmani: Fatkeqësitë natyrore janë të paparashikueshme, por investimet pa kualitet janë të pafalshme

Ushtruesja e detyrës e presidentes, Vjosa Osmani, ka kritikuar investimet në rrugë të cilat janë dëmtuar së fundmi për shkak të reshjeve atmosferike.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se në këto ditë qytetarët dhe vendi po përballen me  përmbytje, vërshime, vështirësi qarkullimi nëpër rrugë, dëme në shtëpi e prona private, si dhe defekte në rrjetin elektrik.

“Fatkeqësitë natyrore vërtet janë të paparashikueshme, por rëndimi i situatës shkaku i mungesës së seriozitetit sistematik e afatgjatë për investime kualitative kapitale është tërësisht i pafalshëm. Situata e këtyre ditëve është dëshmi e qartë se investimi nëpër rrugë nuk mjafton, ndaj mbi të gjitha duhemi të sigurohemi që ndërtimi i tyre të realizohet konform standardeve më të larta”, ka shkruar ajo në facebook.

Tutje kryeparlamentarja Osmani ka falënderuar FSK-në për asistencën e dhënë për evakuimin dhe ndihmën për qytetarët.

“Duke e parë seriozitetin e situatës, falënderoj Forcën Sigurisë së Kosovës, e cila ndodhet në terren në zonat më të rrezikuara në gatishmëri të plotë për t`i ofruar ndihmë qytetarëve dhe për ta mbrojtur secilën jetë”, ka thënë ajo.

Tutje Osmani ka kërkuar nga qytetarët të kenë kujdes dhe nga institucionet ka kërkuar që ti përgjigjen kërkesave të qytetarëve.

“Ju lus të gjithëve që të tregojmë kujdes ta shtuar në qarkullim dhe t`i reduktoni lëvizjet në rrugë deri në menaxhimin e plotë të situatës. Apeloj tek të gjitha institucionet që të jenë në gatishmëri të plotë për t`iu përgjigjur nevojave të qytetarëve në përballje me këtë situatë”, ka theksuar ajo.

Shumica e komunave në Kosovë janë duke u përballur me rrugë të prishura, ura të rrëzuara, ndërprerje të rrymës elektrikë si dhe përmbytje të shtëpive të tyre pas rritjes së reshjeve atmosferike ditëve të fundit.