Organizatori i 'Beer Fest Kosova': Komuna e Prishtinës po na bën konkurrencë

Leart Zeqa, drejtor organizativ i “Beer Fest Kosova”, është shprehur i zhgënjyer për mospërkrahjen e këtij festivali. këtë vit, nga ana e Komunës së Prishtinës.

Zeqa përmes një postimi në Facebook ka thënë se Komuna e Prishtinës i ka bërë konkurrencë, duke organizuar vetë (Komuna) një event të ngjashëm në sheshin ‘Zahir Pajaziti’.

“Për fat të keq nuk jemi konsideruar aspak nga Komuna e Prishtinës që të përdorim ose të rikthehemi në atë hapësirë të kërkuar për vite me radhë. Por, kemi hasur si konkurent vetë Komunën e Prishtinës, pasi ata me autoritet të veçantë i mundësojnë vetes përdorimin e hapësirës së Sheshit Zahir Pajaziti dhe e zënë atë për 1 muaj!!!”, thuhet në reagimin e tij.

Ai ka theksuar se pothuajse çdo vit janë ndjerë të anashkaluar nga ana e Komunës.

“Ne çdo vit jemi ndjerë të anashkaluar në përkrahje e sidomos këtë vit edhe më shumë pas krizës që përjetuam nga pandemia, kur Komuna e Prishtinës e kryesuar nga Dpt. i Kulturës me “krijimtarinë” e saj “kulturore” organizon një koncept të ashtuquajtur ‘ngjarje socio-kulturore’ e cila përfshinë; binë me muzikë, sthtande me pije, promovim dhe argëtim – të njejtin koncept që e gjeni në Beer Fest në Prishtinë”, thuhet më tej në reagimin e tij.

Ky është reagimi i plotë i tij:

KOMUNA E PRISHTINËS aka EVENT ORGANIZER AGENCY

Kurrë nuk kam reaguar publikisht për një gjë të tillë, por m’duhet të shpreh këtë mënyrë të pakuptimtë, me apo pa qëllim, të krijuar nga mentaliteti i punës që funksionon Komuna e Prishtinës.

Në vitin 2016, 5 vite më parë, si organizator të Beerfest Kosova, u detyruam nga Komuna e Prishtinës të largohemi nga hapësira e sheshit ku është organizuar kjo festë, me arsyetimin që nuk i plotësojmë kushtet për organizim!! Po ashtu, me pretendimin nga menaxhmenti i Komunës së Prishtinës që nuk do të lejohet asnjë organizim argëtues në ato hapesira! Por, siç duket ky vendim nuk vlenë për vetë ata.

Ne çdo vit jemi ndjerë të anashkaluar në përkrahje e sidomos këtë vit edhe më shumë pas krizës që përjetuam nga pandemia, kur Komuna e Prishtinës e kryesuar nga Dpt. i Kulturës me “krijimtarinë” e saj “kulturore” organizon një koncept të ashtuquajtur ‘ngjarje socio-kulturore’ e cila përfshinë; binë me muzikë, sthtande me pije, promovim dhe argëtim – të njejtin koncept që e gjeni në Beer Fest në Prishtinë!

Në vitin 2020 BEER FEST. KOSOVA ka mbushur 10 vjet, por fatkeqësisht për shkak të situatës pandemike në vend, planifikimi për vitin jubilar të këtij festivali nuk është organizuar. Kjo është arsyeja pse ne kemi dashur që ky vit të jetë një festë publike për të gjithë, përmes një modeli të moderuar – në përputhje me vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe rregullat përkatëse institucionale ta rikthjemë në qendër të Prishtinës.

Sidoqoftë, për fat të keq nuk jemi konsideruar aspak nga Komuna e Prishtinës që të përdorim ose të rikthehemi në atë hapësirë të kërkuar për vite me rradhë. Por, kemi hasur si konkurent vetë Komunën e Prishtinës, pasi ata me autoritet të veçantë i mundësojnë vetes përdorimin e hapësirës së Sheshit Zahir Pajaziti dhe e zënë atë për 1 muaj!!!

Nga ana tjetër ne kemi mbetur përsëri të nënvlerësuar, të pafuqishëm dhe jashtë mundësive për t’u organizuar në periudhat kohore në të cilat kemi organizuar këtë ngjarje tash e sa vite dhe meqenëse nuk duam të bashkëveprojmë me një ngjarje tjetër që paralelisht ndodhë në kryeqytet.

Vlenë të theksohet: Festa e Birrës Beerfest Kosova ka filluar në vitin 2011 me idenë që të jetë një ngjarje publike në hapësirën publike, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës. Kjo ngjarje tërheqëse është e njohur për transformimin e hapësirës publike duke e shndërruar atë në një hapësirë argëtuese për qytetarët.

Për të organizuar këtë ngjarje janë përkujdesur një staf prej 18 personash dhe në shërbim të kësaj feste kanë qenë 480 punëtorë duke u përfaqësuar nga 12 kompani me rreth 20 brende të njohura dhe është bërë promovimi i produkteve të Kosovës dhe ndërkombëtare.

Poashtu, përveç degustimit të birrave dhe promovimit të produkteve vendore, ky festival për 10 vite me radhë është veçuar si një ndër ngjarjet më atraktive dhe socio-kulturore në kryeqytet duke përfshirë programin kulturo-argëtues dhe promovimin e artistëve dhe grupeve muzikore lokale, rajonale dhe ndërkombëtare të ofruar në program.

MODUS Events & Entertainment vazhdon të zhvillojë këtë ngjarje dhe do të përpiqet më të mirën e saj për ta kthyer festivalin e birrës në një hapësirë publike për qytetarët dhe dashamirët e kësaj feste.

Në të njëjtën kohë, meqenëse nuk na ftuan ose nuk konsideruan zgjidhje të mundshme, ftoj menaxhmentin e Komuna e Prishtinës, Shpend A. Ahmeti, Adrian Berisha dhe të gjithë ata që involvohen në vendime të Komunës së Prishtinës për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit dhe përkrahjes për të organizuar 10 vjetorin e BEER FEST. KOSOVA, festën që ne si organizatorë dhe pjesëmarrësit në këtë festival e kemi krijuar për vite të tëra si një simbol vjetor i qytetit të Prishtinës.

Shpresoj që ky reagim publik këtë herë do të merret në konsideratë.