Ilustrim

Operacioni i Policisë së Shtetit, konfiskohen 10 kilogram kanabis- Pamje

Dy persona u arrestuan pasi u kapën në flagrancë duke transportuar lëndë narkotike të llojit kanabis më saktësisht 10 kilogram.

Policia e Shtetit ka njoftuar se përveç transportuesve kanë arrestuar edhe bashkëpunëtorin e tyre i cili dyshohet se mbante armë pa leje por edhe një sasi të kanabisit në formë çokollate.

Tutje sipas njoftimit të Policisë së shtetit për këtë cështje pesë persona tashmë janë shpallur në kërkim të cilët dyshohen se janë të implikuar në rast.

Operacioni i koduar “Aksi” vuri në pranga 23 vjeçarin L.Gj., 28 vjeçaren B.F., dhe 33 vjecarin G.P.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip “Audi”, me drejtues shtetasin L. Gj. dhe pasagjere shtetasen B. F.

Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit u gjetën 10 kilogramët me kanabis, që këta shtetas po e transportonin nga Korça në drejtim të Elbasanit.

Në afërsi të këtij automjeti u kap dhe u ndalua edhe shtetasi G. P., i cili nga veprimet hetimore ka rezultuar bashkëpunëtor me dy të dyshuarit e lartpërmendur.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit G. P., shërbimet e Policisë kanë gjetur një armë zjarri pistoletë dhe një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kanabis sativa, në formë çokollate.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit pistoletë, 10 kg kanabis dhe automjeti tip “Audi”.

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, ka rezultuar se në këtë veprimtari kriminale dyshohet se janë të përfshirë edhe 5 shtetas të tjerë, të cilët u shpallën në kërkim. Policia e Shtetit tashmë është në kërkim të tyre.