‘Onufri Remade’ në Galerinë Kombëtare

Dhjetëra punime artistike janë ekspozuar të mërkurën, më 12 shkurt 2020, në mbrëmje në Galerinë Kombëtare të Kosovës në kuadër të ekspozitës “Onufri Remade”.

Ekspozita përfshinë 19 punime artistike nga 25 artistë bashkëkohorë shqiptarë dhe të huaj.

Punimet e punuara enkas për këtë ekspozitë përfshijnë të gjitha gjinitë e artit pamorë, tematikat e të cilave prekin realitetin e sotëm.

Për kuratorët e kësaj ekspozite, organizmi i saj në Prishtinë është një mundësi e mirë për prezantim të vlerave të artit bashkëkohor shqiptar, por edhe vazhdimësinë e ekspozitës “Onufri”.

Ardian Isufi, një nga kuratorët e ekspozitës ka potencuar se kjo ekspozitë jo e zakonshme nis me një vepër specifike qysh në hyrje të Galerisë.

Ai ka thënë se pjesë e kësaj ekspozite janë artistë shqiptarë dhe të huaj, veprat të cilëve flasin për Shqipërinë.

“Ekspozita është një përpjekje e madhe për të raportuar mbi shumë fenomene që lidhen me politikën, çështje sociale – shoqërore dhe çështje të nxehta që po kalon shoqëria jonë. Shpesh-herë veprat kanë fillesa të një karakteri lokal, por ato kanë diskutime mbarëbotërore”, ka thënë Isufi.

Ndërsa, Elton Koritari, kuratori tjetër i ekspozitës, është shprehur se ekspozita ka të veçanta, sidomos pishina në hyrje të GKK-së, një instilacion mjaft interesant, por edhe veprat tjera sjellin kuriozitete, siç ka thënë ai, një mendje të hapur.

“Të sjella në formën e artit bashkëkohorë veprat sjellin çështje që na prekin në të përditshmen tonë”, ka pohuar ai.

Kurse drejtoresha e GKK-së, Arta Bunjaku- Agani ka potencuar se ekspozita ka një rendësi të veçantë, jo vetëm për faktin se organizohet në bashkëpunim me artistë nga Shqipëria.

“Jemi të kënaqur kur kemi artistë nga Shqipëria dhe nuk kemi nevojë që këtij bashkëpunimi t’ i vëmë emër, sepse ai bashkëpunim është i natyrshëm dhe për ne gjithmonë dyert janë të hapur për ta”, ka thënë Bunjaku- Agani.

Për 20 vjet ekspozita “Onufri” është organizuar në Galerinë Kombëtare në Tiranë, si një prej aktiviteteve më të rëndësishme të artit pamor bashkëkohorë shqiptar.

Por,  së fundi Galeria në Tiranë dhe Ministria e Kulturës atje hoqën dorë nga “Onufri”. Por, GKK-ja dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës i ka hapur dyert për të vazhduar traditën e ndërprerë në Tiranë më 2018.

Ekspozita ‘Onufri Remade’ do të qëndrojë e hapur në GKK deri më 25 shkurt 2020.