OJQ 'Activism Roots’ kërkon nga Komuna e Gjakovës të nis puna në projektin 'Eshnoret përkujtimore'

Organizata e shoqërisë civile ‘Activism Roots’ në Gjakovë ka reaguar ndaj Komunës së Gjakovës në lidhje me projektin e ‘Eshnores Përkujtimore’, duke kërkuar nga Komuna që të vazhdojnë punimet të cilat momentalisht janë pezulluar.

Në këtë ‘Eshnore Përkujtimore’ janë të vendosura eshtrat e dëshmorëve shqiptarë nga Gjakova dhe rrethina, të rënë në luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare në luftën e dytë botërore.

Organizata “Activism Roots”, që ka monitoruar këtë projekt, thonë se kanë vërejtur disa parregullsi.

Kryetari i kësaj organizate, Ideal Zhaveli, ka thënë për KALLXO.com se si organizatë dy herë i janë drejtuar Komunës në lidhje me çështjen, por deri më tash nuk ka pasur ndonjë lëvizje.

“E kemi monitoruar që nga muaji gusht, disa muaj pas fillimit të projektit. I kemi dërguar në nëntor tek drejtoresha e kaluar dhe në prill tek drejtoresha e re e DKRS-së (rekomandimet) . Të dyja drejtoreshat janë përgjigjur pozitivisht për këto rekomandime, por nuk ka pasur lëvizje në këtë drejtim”, ka thënë Zhaveli.

E pas monitorimit që ka zhvilluar kjo organizatë ndaj projektit, ata kanë vërejtur disa parregullësi dhe kanë nxjerr disa rekomandime.

“Parregullësitë që ‘Acticism Roots’ ka gjetur në projekt janë Mungesa e infrastrukturës për personat me aftësi të kufizuar, duke kërkuar që të përfshihen në projekt; mungesa e ndriqimit rreth objektit dhe mungesa e gjelbërimit; mungesa e një tabele informuese para objektië; shfrytëzimi i hapësirës para objektit si parking privat; akustika brenda objektit, si dhe kanë kërkuar që të rishikohet plani për rregullimin e mozaikut të vendosur në objekt”, thuhet në reagimin e organizatës.

KALLXO.com ka kontaktuar Komunën e Gjakovës në lidhje me projektin dhe reagimin e organizatës, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, Komuna nuk ka kthyer përgjigje.