Oficerët e rinj të FSK pas katër muajve kryejnë me sukses ushtrimin fushor

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se oficerët e rinj të FSK-së kanë përfunduar me sukses të lartë ushtrimin fushor final të Kursit Bazik për Oficer.

Ministri Mehaj ka thënë se gjenerata e parë e Kursit Bazik për Oficer, ka përfunduar ushtrimin fushor të fundit, pas 4 muajve sfidues akademik për këtë kurs i cili realizohet në kuadër të Shkollës së Oficerëve.

“Kursi Bazik për Oficer ka filluar katër muaj më parë i përbërë nga tri faza. Kandidatët u testuan në pjesën teorike dhe praktike. Secila fazë ishte sfiduese në vete dhe u përmbyll me ushtrime fushore. Ushtrimi i fundit testoi kandidatët në modulet e Operacioneve I dhe Operacioneve II. Përkundër motit të ftohtë dhe sfidave të ndryshme në terren, kandidatët treguan përkushtim maksimal dhe rezultate të larta në ushtrim” – ka shkruar ai në rrjetin social “Facebook”.