Foto: REL/Reuters

OBSh ngre alarmin për ringjalljen e coronavirusit në Europë

Coronavirusi po rigjallërohet në Europë pas lehtësimit të masave në shumë vende, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Ka rritje të rasteve. Javën e kaluar për herë të parë “në disa muaj” është shtuar numri i rasteve, tha shefi i OBSh-së për Europë, Henri Kluge, në një konferencë për shtyp në Kopenhagë, raporton CNN.

Kluge tha se ai kishte paralajmëruar për “rrezikun e ringjalljes” pasi vendet lehtësuan masat e izolimit.

Rreth 30 shtete në Europë kanë regjistruar rritje të madhe të rasteve në dy javët e fundit, tha ai.

Kluge shtoi se shtimi i madh në 11 vende “ka dërguar në një ringjallje që bie në sy, e cila nëse lihet e pakontrolluar do i shtyjë sistemet shëndetësore në Europë përsëri drejt kolapsit”.

“Derisa rajoni i Europës është duke raportuar ulje të proporcionit në raste globale sesa më herët gjatë këtij viti, prapë janë rreth 20,000 raste të reja dhe mbi 700 vdekje në ditë,” tha ai.

Kluge përmendi Poloninë, Gjermaninë dhe Spanjën si shembuj të cilat reaguan shpejt pas shpërthimit të rasteve të reja në shkolla, miniera të qymyrit dhe fabrika të ushqimit.