Foto: Ilustrim

Kasaforta u vodh në objektin e siguruar nga Policia e Kosovës

Pas skandalit të avullimit të 2.1 milion eurove nga departamenti i Thesarit të Shtetit, gjatë ditës së sotme KALLXO.com raportoi për skandalin tjetër, atë të grabitjes së kasafortës brenda Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV).

Ky institucion, siç mëson KALLXO.com është nën sigurimin edhe të Policisë së Kosovës ndërsa deri më tani ende nuk janë dhënë detaje nga policia se si ka ndodhur vjedhja e kasafortës.

Sipas Policisë së Kosovës mëngjesin e sotëm është raportuar për një vjedhje në Fushë Kosovë ndërsa njësitet policore janë në vendin e ngjarjes duke kryer hetime për rastin.

Si funksionon sigurimi i objektit të AUV-it nga policia:

Në bazë të Njësitit për Punë Sekondare zyrtarët policor kryejnë edhe punë siç janë ruajtja e objekteve në këtë rast të AUV. Zyrtarët policor që për punë sekondare marrin mëditje në lidhje me punën që kryejnë dhe në këtë rast të njëjtit konsiderohen se janë duke kryer punë zyrtare të policisë.

AUV së bashku me policinë kanë të nënshkruar një marrëveshje për ruajtjen e objektit.

Siç mëson KALLXO.com në vendin e ngjarjes janë edhe zyrtarë të Inspektoratit Policor të Kosovës pasi që mbrëmë objekti i AUV ka qenë i siguruar nga zyrtarë policor.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së sotme se dy zyra të AUV janë thyer, ajo e personelit dhe zyra ku mbahej kasaforta.

Në këtë kasafortë sic mëson KALLXO.com ka pasur para kesh, mbushje telefonike dhe gjëra të tjera.

Shuma e parave kesh që kanë qenë brenda kasafortës ende nuk dihet se sa është.

Gjatë ditës së djeshme u raportua edhe për skandalin i cili ka ndodhur në Ministrinë e Financave më saktësisht në Departamentin e Thesarit.

Nga ky departament po dyshohet se janë avulluar një shumë prej 2.1 milionë eurosh.

Policia në lidhje me rastin ka thënë se është arrestuar një person ndërsa dy të tjerë janë në arrati e Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë se ka suspenduar edhe dy zyrtarë të thesarit në lidhje me këtë rast.