Burimi: pixabay.com
Numri i bizneseve të regjistruara në vitin 2021, më i larti në 13 vitet e fundit
Në vitin që shkoi, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në Kosovë u regjistruan 10,649 biznese ndërsa u shuan 1,608 të tjera. Numri i bizneseve të regjistruara në vitin 2021, rezulton të jetë më i larti në 13 vitet e fundit.
Në tremujorin e katërt të vitit 2021 gjithsej janë regjistruar 2,416 biznese. Krahasuar me tremujorin paraprak, sipas ASK-së ka rënie për 2.6 për qind të bizneseve të regjistruara. Ndërsa, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit 2020 ka rënie për 18.7% të bizneseve të regjistruara.
Sipas ASK-së, aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: Tregtia me shumicë dhe pakicë dhe riparimi i mjeteve motorike, motoçikletave me 646 biznese të regjistruara apo 26.73 për qind; Prodhimi me 296 biznese të regjistruara apo 12.25 për qind; Akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 251 biznese të regjistruara apo 10.38 për qind; Aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 237 biznese të regjistruara apo 9.80 për qind; Ndërtimtaria me 183 biznese të regjistruara apo 7.57 për qind, etj.
Pjesa më e madhe e bizneseve të regjistruara punësojnë prej 5 deri 9 të punonjës. Në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 2,314 apo 95.78 për qind biznese të regjistruara; me 5 deri 9 të punësuar ishin 58 sosh apo 2.4%; me 10 deri në 19 të punësuar janë 29 biznese të regjistruara apo 1.2 për qind; me 20 deri 249 të punësuar janë 15 biznesetë regjistruara ose 0.6%; ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar, nuk ka asnjë biznes të regjistruar.
Sa i përket shtrirjes gjeografike të bizneseve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor mbizotëron komuna e Prishtinës me 765 biznese të regjistruara apo 31.66 për qind. Pas Prishtinës vjen Ferizaj me 234 biznese të regjistruara apo 9.69 për qind; Prizreni me 169 biznese të regjistruara apo 7 për qind, Gjilani me 136 biznese të regjistruara apo 5.63 për qind; Peja me 125 biznese të regjistruara apo 5.17 për qind, dhe Fushë Kosova me 117 biznese të regjistruara apo 4.84 për qind, ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të bizneseve të regjistruara në këtë tremujor.
Këto të dhëna, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e raportit “Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë, për tremujorin e katërt (TM4) 2021”.