Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Numër i lartë i pacientëve me COVID-19 e mungesë e barnave në Spitalin e Gjilanit

Në mes të zhurmave të respiratorëve, mjekët në Spitalin e Gjilanit po përballen me sfida të shumta në trajtimin e pacientëve me COVID-19.

Në këtë Spital nuk ka barna të mjaftueshme e as staf mbështetës që t’u dalin në ndihmë mjekëve që shkojnë herë në njërin repart e herë në tjetrin.

Ky Spital ka liruar shtatë reparte për pacientët me COVID-19, ndërsa sipas udhëheqësve të tij, tashmë është modifikuar zgjerimi i oksigjenimit qendror.

Arsim Emini, ushtrues detyre i drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan

Arsim Emini, ushtrues detyre i drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, thotë për KALLXO.com se tashmë ky Spital ka kapacitete të shtuara në rast se rritet numri i pacientëve.

“Numri i pacientëve është i shtuar mirëpo kemi kapacitete ende për pranim të pacientëve me COVID-19 në Spitalin tonë. Sistemi i oksigjenimit qendror ka qenë i instaluar në Spitalin tonë qysh prej 15 viteve. Numri i burimeve të oksigjenit, në situatën në të cilën ndodhemi, ka qenë i vogël. Mirëpo kemi bërë disa modifikime të vogla dhe e kemi zgjidhur situatën. Me këtë trend të pacientëve nuk kemi problem të trajtimit me oksigjeno-terapi”, thekson ai.

Tutje Emini ka treguar se gjatë ditëve të fundit kanë pasur problem me furnizim të barnave anti-virale ndërsa shton se u është premtuar furnizim i shpejtë.

“Furnizimi ka qenë relativisht i mirë. Kohët e fundit kemi problem me furnizimin me barna anti-virale mirëpo na është premtu që për një kohë do t’i kemi edhe ato. Na kanë thënë që brenda javës së ardhshme do të vijnë ato”, shtoi Emini.

Përveç mungesës së barnave anti-virale, Emini ka thënë po ashtu se mungon edhe një bar për trajtimin e COVID-19 tash e dhjetë ditë.

E problematikë tjetër në këtë Spital është edhe stafi infermieror për shkak të rritjes së numrit të pacientëve me COVID-19.

“Barnat që po përshkruhen për pacientët me COVID-19 janë kortikosteroidet, fatkeqësisht janë duke u përdor tepër antibiotikët, barnat anti-virale janë dhënë në formë tabletare. Një kohë kemi pasur, para dhjetë ditësh, edhe preparatin tocilizumab i cili është rekomanduar nga OBSh, momentalisht nuk kemi por na është premtuar se shumë shpejt”, shton drejtori.

Emini gjithashtu ka treguar se gjendja e pacientëve në Spitalin e Gjilanit është relativisht e rëndë, ndërsa ka shtuar se në mjekimin intensiv nuk ka pacientë të cilët janë të vaksinuar.

Myrvete Daku- Kurteshi, shefe e Repartit Infektiv në Spitalin e Gjilanit

E Myrvete Daku- Kurteshi, shefe e Repartit Infektiv në Spitalin e Gjilanit ka thënë se që nga koha kur ajo ka filluar punën në këtë Spital, nuk ka pasur asnjëherë përvojë me gjendje të tillë të pacientëve.

“Unë jam këtu prej korrikut të vitit 1999. Asnjëherë në përvojën tonë nuk kemi pasur një situatë të tillë dhe një fluks të tillë kurrë nuk jemi përballur”, theksoi ajo.

Sipas saj, energjia e punës brenda Repartit po e përcjellin edhe në shtëpi, në familje e në shoqëri.