Një muaj paraburgim për Korab Gashin, të dyshuarin për grabitjen e armatosur në Suharekë

Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për të pandehurin Korab Gashi, i cili dyshohet si pjesëmarrës në grabitjen që kishte ndodhur në Suharekë më 23.11.2023.

Sipas njoftimit, Gjykata ka vlerësuar se ndaj të pandehurit ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase dhe se caktimi i kësaj mase është i domosdoshëm në këtë fazë, duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprave penale, rrethanat në të cilat është kryer vepra penale dhe fakti se i pandehuri ishte në arrati nga koha kur është kryer vepra penale deri në ditën e arrestimit, më 01.07.2024.

“Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, gjygjtarja e procedurës Teuta Krusha, ka caktuar masën e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, e cila do të llogarotet prej kohës së arrestimit 01.07.2024 dhe mund të zgjasë deri më datë 01.08.2024  ndaj të pandehurit K.G për shkak të dyshimit të bazuar se i ka kryer veprën penale “Grabitja”- thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Korab Gashi është personi i pestë i arrestuar nën dyshimin se mori pjesë në grabitjen e armatosur në Suharekë, e cila ndodhi më 22.11.2023.

Dosja e Prokurorisë shpjegon se më 22.11.2023 në ora 15:45 në qytetin e Suharekës, në rrugën “Brigada 123”, duke përdorur forcën dhe kërcënimin, të dyshuarit kanë hyrë brenda argjendarisë “Diakos”, kanë grabitur pasuri të paluajtshme nga T.B. dhe A.B.

Gjithmonë sipas dosjes së Prokurorisë, Bujar Basha, Besart Istrefi, Korab Gashi, Dukagjin Gashi dhe Leutrim Cakolli që të gjithë të maskuar, të veshur me rroba të zeza dhe me doreza në duar, të gjithë të pajisur me armë frontale të gjata, njëri prej tyre me armë të gjatë në duar kryen rolin e rojes ndërsa të tjerët futen brenda në argjendari dhe nën kërcënimin e armëve marrin peng pronarin e lokalit të cilin e lidhin me lidhëse plastike për të neutralizuar rezistencën e tij.

Tutje dosja përshkruan se të dyshuarit pastaj fillojnë me grabitjen e arit, duke demoluar vitrinat, xhamat dhe arrijnë të marrin ar, duke shkaktuar humbje në shkallë të madhe dhe ashtu të maskuar dhe me armë të gjata në duar, me veturë largohen në drejtim të rrugës “Avdyl Rama” për të vazhduar nga fshati Sopijë, tutje në drejtim të fshatit Budakovë, që lidhet me fshatin Jezerc të Ferizajt, nga ku edhe bëhen të paarritshëm.

Vetëm tetë ditë më vonë, ose më saktësisht më datë 30.11.2023, Policia e Kosovës me anë të një aksioni arrin që të arrestoj Bujar Bashën, Besart Istrefin dhe Leutrim Cakollin, ndërsa i pandehuri Korab Gashi arrin t`i shmanget policisë dhe që nga ajo kohë ka qenë në arrati.

Me këto veprime, Gashi dyshohet se ka kryer veprën penale të grabitjes.

Policia arreston Korab Gashin, i dyshuar për grabitjen e armatosur në Suharekë

Grabitja e armatosur në Suharekë – Çka thotë dosja e Prokurorisë për Korab Gashin