Një i plagosur në qendër të Pejës

Një person është plagosur sonte në qytetin e Pejës.

Burime të KALLXO.com kanë treguar se një person është plagosur pasi është gjuajtur me armë zjarri nga një veturë.

Lidhur me këtë rast, KALLXO.com ka kontaktuar zëdhënësin e Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

Ai ka konfirmuar rastin e plagosjes së një personi, por ka thënë se viktima është jashtë rrezikut për jetë.

“Rreth orës 19:30 në qendër të qytetit të Pejës si pasojë e të shtënës me armë zjarri është plagosur një person. I njëjti është dërguar në Spitalin rajonal të Pejës dhe është jashtë rrezikut për jetë”, tha Nikçi për KALLXO.com.

Ai shtoi se Prokuroria po punon intensivisht për identifikimin e personit apo personave qe janë të përfshirë në rast.