Foto: SHSKUK.

Nis shpërndarja e terapisë tabletare onkologjike në Spitalin e Prizrenit

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka bërë të ditur se sot ka nisur shpërndarja e terapisë tabletare onkologjike në Spitalin e Prizrenit.

Sipas ShSKUK-së, pacientëve të Rajonit të Prizrenit do t’u ofrohet marrja e kësaj terapie të cilën më parë e merrnin në Klinikën e Onkologjisë në Prishtinë.

Sipas njoftimit të SHSKUK-së, gjatë ditës së sotme në Spitalin e Prizrenit qëndroi edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili tha gjatë takimit me stafin e spitalit se shpërndarja e kësaj është lehtësim për qytetarët e Prizrenit.

“Falë punës intensive kemi arritur që këtë ta jetësojmë disa muaj më herët se që ishte planifikuar, kjo do të jetë lehtësim për qytetarët e rajonit të Prizrenit dhe do ta lehtësojë punën edhe të stafit të Klinikës së Onkologjisë që është i mbingarkuar”, citohet të ketë thënë ministri Vitia.

Ndërsa, po sipas SHSKUK-së, zëvendësuesja e drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së, Narqize Arënliu-Hoxhaj, tha se në projekt është paraparë shpërndarja e terapisë tabletare në Spitalin e Prizrenit dhe atë të Pejës.

Ndërsa, drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka thënë se mbi 100 pacientë nga rajoni i Prizrenit do të marrin terapinë tabletare 1 herë në muaj në Spitalin e Prizrenit, ku një mjek specialist onkolog dhe 1 infermiere nga Klinika e Onkologjisë do të vinë në spital si asistencë.