Nis “Shkolla verore për ndërmarrësi sociale” në Universitetin e Prizrenit

“Shkolla verore për ndërmarrësi sociale”, është realizuar në kuadër të projektit “Qendra Rinore Multifunksionale ARKA” projekt ky i financuara nga BE-ja, i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe i zbatuar nga OJQ “THY”.

Roli dhe qëllimi i organizmit të kësaj shkolle, është ngritja e kapaciteteve të të rinjve rreth ndërmarrësisë sociale dhe target grupi i projektit janë nxënësit e studentët.

Në hapjen solemne, Luigi Brusa, udhëheqës i sektorit për bashkëpunim nga zyra e Bashkëpunimit Evropian në Kosovë, tha se është shumë e nevojshme që të investohet në promovimin e konceptit të ‘Ndërmarrjeve Sociale’.

“Duke pasur parasysh faktin se Kosova ka një ndër popullatat më të reja në evropë, këtë shkollë e konsideroj një mundësi të shkëlqyer, por vetëm nëse zhvillohen aftësitë e duhura dhe inkurajohet sipërmarrja”, tha ai.

Përfaqësuesi për bashkëpunim i zyrës së BE-së, nëpërmjet platformës Zoom, gjithashtu tha se është shumë i lumtur që ka pasur mundësi të sjellë përvojën ndërkombëtare përmes këtij projekti i cili është në përputhje më objektivat e BE-së, e që ka për qëllim uljen e papunësisë së të rinjve duke promovuar edukimin sipërmarrës të tyre.

“Unë inkurajoj fuqimisht Universitetin “Ukshin Hoti” që në vitet e ardhshme të vazhdojë me organizimin e kësaj Shkolle Verore si e para e këtij lloji”, shtoi Brusa.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, tha se vendi ynë nuk është shumë i familjarizuar dhe nuk di shumë për ndërmarrësin sociale, sikur që edhe nuk ka legjislacion, andaj inkurajoi të rinjtë që të marrin pjesë në këtë shkollë.

“Shpresoj në të ardhmen të krijojmë projekte në lidhje me ndërmarrësin sociale”, shtoi Haskuka.

Kurse, Burim Berisha sekretar i Universitetit, tha se mbajtja e shkollës verore në Kampusin e Universitetit të Prizrenit, si institucion akademik, i ka nderuar dhe i inkurajon në arritjen e qëllimeve në promovimin ndërkombëtar të Universitetit.

“Shpresoj që kjo ngjarje do të vazhdojë së ndodhuri bashkërisht vit për vit, pasi është në interes të përbashkët, si për studentët dhe në përgjithësi shoqërinë”, tha Berisha.

“Shkolla verore …” do të zgjasë nga data 8 deri me 11 korrik 2021, duke filluar nga ora 10:00 deri në 16:00.