Me aktivitete të shumta përfunduan ‘Ditët e Energjisë së Gjelbër 2022’

‘Ditët e Energjisë së Gjelbër 2022’, u shënuan në lokacione të ndryshme anembanë Kosovës ndërmjet 16 dhe 22 majit. Nisma përfshinte aktivitete të shumta, për të cilat u raportua në lajme televizive dhe artikuj mediatikë.

Për të dytin vit radhazi, ‘Ditët e Energjisë së Gjelbër’ synuan të nxjerrin në pah sa me rëndësi është efiçienca e energjisë, mbrojtja e mjedisit dhe shëndeti publik, veçanërisht për zyrtarët përkatës.

BIRN Kosova filloi nismën e këtij viti me publikimin e “Helm n’ujë, Helm n’ajër”, një dokumentar që është produksion i Ikonë Studio dhe Pixels Production.

Aktiviteti i parë i këtij edicioni u drejtua nga gazetarja mjedisore e BIRN-it në Kosovë, Drenushë Ramadani.

Aty morën pjesë gjithashtu disa folës tjerë, si: AnnaCarin Platon – zëvendësshefe e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Valon Bajgora – producent në Ikonë Studio, Flutura Zymi – drejtore ekzekutive e OJQ-së Qytetarët Aktivë dhe Mustafa Skenderi – drejtor ekzekutiv i TV Mreža.

ERA-Group organizoi dy takime dialogu me të rinjtë për mbrojtjen e mjedisit, ku morën pjesë 109 të rinj nga komunat e Pejës dhe Gjakovës. Seancat promovuan praktikat e mira mjedisore dhe mjetet avokuese që synojnë adresimin e çështjeve urgjente mjedisore.

Një nga aktivitetet kryesore të ‘Ditëve të Energjisë së Gjelbër 2022’ ishte organizimi i një konference të nivelit të lartë më 19 maj. Me tre panele diskutimi, konferenca bëri bashkë udhëheqës të lartë dhe vendimmarrës nga e gjithë Kosova dhe rajoni për të diskutuar të ardhmen e energjisë së gjelbër në Ballkanin Perëndimor, si dhe sfidat e dekarbonizimit.

Në konferencë u prezantua gjithashtu një dokument i ri i pozicionit mbi Planin Kombëtar të Energjisë dhe Klimës (PKEK) për Kosovën, i cili përfshinte 32 rekomandime konkrete se si mund të lëvizë vendi drejt një ekonomie me efiçiencë të energjisë dhe me burime të energjisë në shkallë 100 për qind.

Drejtoresha ekzekutive e BIRN-it në Kosovë, Jeta Xharra, drejtoi konferencën, e cila u hap nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe zëvendësshefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, AnnaCarin Platon. Folësit përfshinin kryetarin e komunës së Prishtinës dhe kryetarët e bashkive të Tiranës dhe të Sarajevës, si dhe ministrat e mjedisit dhe ekonomisë nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët diskutuan për agjendat e tyre të gjelbëra. Kryetarët e komunave të Prizrenit, Gjilanit, Obiliqit dhe Drenasit e mbyllën konferencën duke diskutuar për çështjet mjedisore në komunat e tyre përkatëse.

Një artikull i thelluar mbi ndotjen e ujërave dhe lumenjve dhe një material me interes të përgjithshëm publik mbi ndotjen e ujit në lumin Drini i Bardhë u publikuan gjithashtu gjatë ‘Ditëve të Energjisë së Gjelbër 2022’, krahas artikujve të shkurtër dhe lajmeve që promovojnë nismën.

ERA-Group mbylli ‘Ditët e Energjisë së Gjelbër 2022’ duke organizuar një aktivitet mobilizimi rinor me 30 të rinj nga komuna e Pejës. Përmes këtij aktiviteti, pjesëmarrësit patën mundësinë të mbjellin pisha në kopshtin e shkollës së tyre, duke gjelbëruar hapësirën publike dhe duke promovuar aksionin kolektiv mes brezave të rinj.

‘Ditët e Energjisë së Gjelbër’ është një nismë në kuadër të projektit “Evropianizimi i agjendës mjedisore të Kosovës”, i cili financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe zbatohet nga BIRN Kosova, CEE Bankwatch, ERA-Group dhe TV Mreža.

Nisma ‘Ditët e Energjisë së Gjelbër 2022’ ishte edicioni i dytë dhe i fundit në kuadër të projektit “Evropianizimi i agjendës mjedisore të Kosovës”.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.