Foto: KALLXO.com

Nis konventa e bizneseve të diasporës dhe të huaja

Konventa për bizneset e huaja dhe të diasporës, e cila ka për qëllim rritjen e eksporteve të Kosovës, ka nisur sot dhe do të vazhdojë edhe nesër.

Diskutimet i ka hapur Joshua Mike, drejtor i Zyrës së USAID-IT në Kosovë për Zhvillim Ekonomik, zyra e të cilit është një nga donatorët për mbajtjen e kësaj konference, bashkë me Ambasadën e Suedisë dhe Rrjetit global të bizneseve shqiptare të diasporës.

Me këtë rast, Joshua Mike deklaroi se përpjekja e kompanive kosovare për investime është hap pozitiv që dërgon drejt rritjes ekonomike.

Mike shpreson që kjo konventë të rezultojë me bashkëpunim më të madh të bizneseve kosovare dhe të huaja.

“Shpreh përgëzimet e mia për përpjekjet tuaja për të bërë një të ardhme më të ndritshme. Është një hap pozitiv dhe përpjekjet tona të përbashkëta do të ndihmojnë në rritjen ekonomike. Kjo tregon se jeni të gatshëm të ndihmoni ekonominë e Kosovës. Ata që e kam vënë re në terren është një optimizëm i shëndetshëm”, tha Joshua Mike.

Udhëheqësi i degëve të RrBDSh-së, Yll Blakaj, potencoi se për të pasur sukses duhet punë dhe përkushtim. Përveç kësaj, sipas tij, e rëndësishme është besimi për bashkëpunim.

“Prodhuesit tanë e gjejnë tregun më lehtë në bazë të këtyre evenimenteve. Kemi kërkesë për kryetarët e komunave të jenë konkretë me projektet e tyre për diasporën. Për të ardhur deri të suksesi na duhet punë dhe përkushtim, si dhe besim”, theksoi Blakaj.

Të ftuar për diskutim ishin kryesisht shqiptarë nga diaspora, të cilët kishin arritur histori suksesi me investimet e tyre në Kosovë, që konsiderohen si investime direkte të huaja, në mesin e tyre ishin: Visar Ramajli, partner menaxhues i fabrikës KIVO, Mërgim Cahani, drejtor menaxhues i Gjirafa, i cili tha se arsyeja përse kishte krijuar këtë platformë është ngaqë në Kosovë ‘Amazon’ dhe disa programe të Google për blerje elektronike nuk funksionojnë. Ai tregoi se sa shumë është rritur kjo kompani që nga viti 2014. Sipas Cahanit, brenda këtij viti kanë thyer rekord me mbi 130 milionë vizita.

Pjesëmarrës të tjerë ishin edhe Trim Tërnava nga JAHA SOLAR, pronar dhe drejtor ekzekutiv, i cili po ashtu tregoi se si Kosova është vendi i parë në Ballkan që bën prodhim vendor të paneleve solare, me materiale të ardhura nga Gjermania.

Panelist ishte edhe Mentor Pllana, drejtor ekzekutiv i BP Home, një nga kompanitë që ka ndërtuar disa lagje private si “Qershia”, kompleksi “Molla” dhe “Dardha”.

Sesioni prezantues i bizneseve u përmbyll nga Bujar Gashi, themelues i platformës elektronike ‘Albanian Network’.

Në pjesën e dytë të kësaj konvente u paraqitën disa prej projekteve për investim nga Komuna e Pejës, ajo e Prizrenit, Gjilanit, Istogut dhe e Vushtrrisë.

Mytaher Haskuka, kryetari i Komunës së Prizrenit, shpalosi disa nga pikat të cilat janë cak i investimit për rritjen e turizmit në këtë komunë, në mesin e tyre janë: Kampi ushtarak gjerman (Parku i trajnimit dhe inovacionit), teleferiku që çon te Kalaja, parkingjet publike, sheshi Bazhdorhane dhe zona industriale.

Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës, shpalosi po ashtu disa nga projektet e mëdha që pritet të investohet në to, si  Parku kombëtar i Bjeshkëve të Nemuna, Drini i Bardhë dhe Drini i Zi, Gryka e Rugovës dhe Maja e Zezë, si dhe projekti që po synohet të fillojë nga viti i ardhshëm: Summer Tobogan, si një atraksion turistik.

Projekte tjera që kanë nevojë për investim sipas Muhaxherit janë: Qendra sportive në Brestovik, si dhe tre qendra skijimi të parapara në Bogë, Shkrel dhe Koshutan.

Valbona Tahiri, drejtoreshë e Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik në Komunën e  Gjilanit, shpalosi projekte në të cilat Gjilani pret të ketë investime.

Penda e liqenit të Livoqit, Zona e Lirë Ekonomike, palestra sportive, shtrirja e rrjetit të gazit natyror dhe të kompresuar.

Ndërsa, Xhafer Tahiri, kryetar i Komunës së Vushtrrisë në mesin e projekteve për investim përmendi Parkun e biznesit në Lumbardh, tregun për prodhuesit vendorë, Energjinë nga era- investim francez si dhe revitalizimin e urës së Dubovcit.

Genc Ahmetaj, nga kabineti i kryetarit të Komunës së Istogut, si projekte të mëdha investimi përmendi Zonën ekonomike dhe Zonën turistike “Mokna”.

Prezantimin e përmbylli Vesa Shehu, nga klubi i prodhuesve të Kosovës, ku prezantoi rëndësinë e platformës “Made in Kosova”, dhe imazhin e mirë që i kishte dhënë vendit.

Të gjithë pjesëmarrësit e interesuar organizuan vizita paralele në terren në disa kompani të Kosovës.

Punimet e kësaj konvente do të vazhdojnë edhe nesër, kur do të mbahen takime me kompani të ndryshme të Kosovës.