Ngecin në borë gjatë bartjes së vaksinave, i japin tek shoferët në rrugë për të mos skaduar

Punonjës shëndetësor të rrethit Josephine në Oregon/ShBA,  thanë se kanë ecur nga makina në makinë, duke u dhënë vozitësve doza të vaksinave që pritej të skadonin brenda gjashtë orëve, raporton New York Times

Punonjësit shëndetësorë ishin duke u kthyer nga një qendër rurale e vaksinimit të martën, kur ngecën në një stuhi bore sa ishin në autostradë.

Ata e dinin se kishin vetëm edhe gjashtë orë për të dërguar vaksinat e mbetura tek njerëzit që po prisnin për këto doza në Grants Pass, gati 48 kilometra larg. Në rrethana normale ky udhëtim do merrte rreth 45 minuta.

Duke e ditur se kishin me vete një rimorkio, ekuipazhi e kuptoi se do mund të mbeteshin me orë të tëra dhe dozat e vaksinave do skadonin.

Kështu ata morën vendim që të ecin nga makina në makinë për t’i pyetur vozitësit që po ashtu kishin ngecur nëse duan të vaksinohen, aty për aty.

“Kemi pasur një person që ishte shumë i gëzuar, ai hoqi bluzën dhe kërceu nga makina,” tha Michael Weber, drejtor i qendrës publike shëndetësore të  rrethit Josephine.

Një tjetër person që mori vaksinën, kishte qenë një punonjëse e zyrës së shefit të kësaj klinike që kishte arritur shumë vonë në Klinikën Cave Junction por përfundoi e ngecur me të tjerët rrugës duke u kthyer në Grants Pass.

Shumica e vozitësve qeshën me ofertën dhe me mirësjellje e refuzuan, edhe pse Weber tha se ai kishte me vete një mjek dhe ambulancë për të mbikëqyrur këtë operacion. Ai thotë se e kuptoi që nuk ishte vendi i duhur për vaksinim.

“Ishte një bisedë e çuditshme,” tha zoti Weber. “Imagjinoni veten të ngecur në anë të një rruge në mes të stuhisë dhe dikush vjen dhe ju pyet: ‘Hej, dëshiron të marrësh një shpim në krah?”

Por, Wever tha se punëtorët shëndetësorë kishin administruar gjashtë dozat e vaksinës Moderna tek gjashtë vozitës që ishin shumë falënderues.

Weber e quajti këtë “një nga operacionet më të mira” në të cilin ka marrë pjesë dhe tha se ishte një vendim i lehtë që dozat të jepen në autostradë.

“Sinqerisht, në momentin që e kuptuam se nuk do arrijmë në kohë për t’i përdorur vaksinat, zgjidhja ishte e ditur,” tha ai. “Rregulli jonë numër 1 për momentin është që asgjë të mos shkojë dëm.”

 

Përktheu- Ardita Zeqiri