Elizabeth Allen dhe Albin Kurti

Nënsekretarja amerikane pas takimit me Kurtin: Ne kërkojmë zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve Kosovë-Serbi

Nënsekretarja amerikane për Diplomaci Publike, Elizabeth Allen, pas takimit me presidenten Vjosa Osmanin, takoi edhe shefin e ekzekutivit kosovar, Albin Kurtin.

Nga ky takim me Kurtin, Allen shkroi në rrjetin e saj social “X” se vlerëson diskutimin “gjithëpërfshirës” që pati me kryeministrin.

Ajo më 19.05.2024 shkroi se Kosova bën pjesë në BE dhe në NATO dhe se kërkojnë zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut.

“Vlerësoj diskutimin gjithëpërfshirës me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Kosova bën pjesë në BE dhe në NATO. Ne kërkojmë zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve që kanë bërë Kosova dhe Serbia në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja” – ka shkruar ajo.

Ndërkaq, paraprakisht, nënsekretarja amerikane, Elizabeth Allen, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ka thënë se ka ritheksuar se “mund të mbështesin trajektoren e Kosovës drejt institucioneve evropiane dhe euroatlantike kur kemi një funksionim dhe koordinim të ngushtë”.

Allen tha se diskutuan “hapin thelbësor në rrugën euro-altantike të Kosovës për të ecur përpara me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”.

“Ne folëm edhe për çështjen kritike të rrugës evropiane dhe euroatlantike të Kosovës. E ritheksova se ne mund të mbështesim më së miri trajektoren e Kosovës drejt institucioneve evropiane dhe euroatlantike kur kemi një funksionim dhe koordinim të ngushtë. Dhe e di që kjo çështje ka një rëndësi të madhe edhe për ju, Presidente Osmani. Diskutuam hapin thelbësor në rrugën euro-altantike të Kosovës për të ecur përpara me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”

“Gjithashtu diskutuam për investimet e reja, edukimin dhe trajnimin për të siguruar një të ardhme demokratike të begatë dhe multietnike për Kosovën” – tha nënsekretarja amerikane përmes një konference të përbashket me shefen e shtetit kosovar më 19.05.2024.

Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi.

Më 2015, të dyja vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kishin arritur një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni, porse Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur që parimet për Asociacionin nuk janë në përputhje me Kushtetutën. Megjithatë, Kushtetuesja përcakton se parimet mund të harmonizohen me akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Prishtina zyrtare ka refuzuar ta zbatojë këtë marrëveshje, e ndërkombëtarët vazhdojnë ‘presionin’ ndaj Kosovës.

Kryeministri, Albin Kurti ka bërë të ditur më 08.05.2024 se Qeveria nuk e pranon Asociacionin si kusht për t’u bërë pjesë e Këshillit të Europës. Kjo kërkesë, sipas tij nuk është parimore e as vlerore, por është absurde. Kosova mbeti jashtë agjendes së mbledhjes së Asambles së Këshillit të Europës së datës 17.05.2024.