Në tremujorin e tretë në Kosovë u regjistruan mbi 2,500 biznese

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për muajt korrik, gusht, shtator tregojnë se ka rritje të regjistrimit të bizneseve për 8.9 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Gjithashtu, në këtë tremujor ka edhe rritje të numrit të bizneseve që u shuan.

“Në tremujorin e tretë (TM3) të vitit 2020 gjithsej janë regjistruar 2,593 ndërmarrje. Krahasuar me tremujorin paraprak (TM2  2020) ka rritje për 27.54% të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM3 2019) ka rritje për 8.9% të ndërmarrjeve të regjistruara”, thuhet në komunikatë.

Sa u përket aktiviteteve ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: tregtia me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave  me 597 ndërmarrje të regjistruara (23.02 për qind);  prodhimi me 302 ndërmarrje të regjistruara (11.65 për qind); akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 282 ndërmarrje të regjistruara (10.88 për qind); bujqësia, pylltaria dhe peshkataria me 257 ndërmarrje të regjistruara (9.91 për qind); aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 235 ndërmarrje të regjistruara (9.06 për qind); ndërtimtaria  me 231 ndërmarrje të regjistruara (8.91 për qind), etj.

Pjesa dërrmuese e ndërmarjeve të regjistruara numërojnë deri në 4 të punësuar

“Gjatë këtij tremujori, në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar ishin gjithsej 1,511 ndërmarrje të regjistruara (96.8 %); në kategorinë me 5 deri 9 të punësuar ishin 51 sosh (2.0%); në kategorinë me 10 deri në 19 të punësuar ishin 24 ndërmarrje të regjistruara (0.9%); në kategorinë me 20 deri 249 të punësuar ishin 7 ndërmarrje të regjistruara (0.3%); ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar nuk ka ndonjë ndërmarrje të regjistruar.”, bën të ditur komunikata.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor mbizotëron komuna e Prishtinës me 771 ndërmarrje të regjistruara (29.7 për qind); Prizreni me 197 biznese (7.6 për qind); Ferizaj me 186 (7.2 për qind); Peja me 141 (5.4 për qind); Gjilani me 129 ndërmarrje të regjistruara (5.0 për qind); dhe Gjakova me 114 ndërmarrje të regjistruara (4.4 për qind). Ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.

Sivjet, deri në muajin shtator janë regjistruar 6,937 ndërmarrje ndërsa janë shuar 886 ndërmarrje.

Këtëo të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e raportit “Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë për tremujorin e tretë (TM3) 2020.