Në tre qytete Policia njofton se pati të arrestuar për dhunë në familje

Tre burra të dyshuar për dhunë në familje janë arrestuar në 24 orët e fundit në Kosovë.

Rastet kanë ndodhur në Lipjan, Fushë Kosovë dhe Pejë.

Një burrë në Lipjan është arrestuar dje nën dyshimin se më datë 17 nëntor 2021 kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e cila e ka raportuar në Polici.

Sipas Policisë, me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt.

Në Fushë Kosovë një burrë është arrestuar nën dyshimet për dhunë fizike ndaj bashkëshortes.

Sipas Policisë rasti ka ndodhur më 6 shkurt në Lagjja 28.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ka njoftuar PK.

Për dhunë fizike ndaj bashkëshortes është arrestuar edhe një burrë në Pejë.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur dy ditë më parë dhe sipas Policisë viktima ka pranuar tretman mjekësor.

Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.