Foto: ShSKUK/Facebook

Në muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, u bëhet thirrje grave për rikonstruktimin e gjirit

Muaji tetor është muaji që shënon ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, e që ndryshe njihet edhe si muaji rozë.

Në këtë muaj Kirurgjia Plastike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës i ka bërë thirrje të gjitha grave, vajzave e nënave të operuara nga kanceri i gjirit që gjatë këtij muaji të shkojnë në këtë klinikë dhe të trajtohen për rikonstruktimin e gjirit.

Në një njoftim të dhënë nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës thuhet se Kirurgjia Plastike me sukses po kryen riformimin e gjirit, pas karcinomës.

“Përveç problemit shëndetësor gjatë kancerit të gjirit, problem madhor është edhe gjendja psikologjike e pacienteve post operative, pas operimit/amputimit të gjirit, e cila, përpos që shkakton problem fizik, paraqet edhe problem psikologjik te gratë e sëmura”, thuhet tutje.

Të njëjtit thanë se rikthimi i jetës normale tek një grua, është shumë me rendësi e se një gjë e tillë mund të arrihet përmes operacioneve rekonstruktive, të cilat mundësojnë formimin e gjirit të ri përmes teknikave të ndryshme operative në Kirurgjinë Plastike.

“Në Klinikën e Kirurgjisë Plastike ofrohen të gjitha metodat rekonstruktive, si rekonstruksioni i hershëm dhe i vonshëm me këto metoda operative: Ind autolog – mikrokirurgji (latisimus dorsi, DIEP, SGAP, etj.), si dhe me anë të implanteve apo protezave të ndryshme”, përfunduan ata.

Karcinomi i gjirit paraqitet si rezultat i modifikimit dhe shumimit të pakontrolluar të një grupi qelizash, të cilat e përbëjnë indin e gjirit.

Indi kancerogjen së pari përhapet drejt rajonit më të afërm në rrethinë, siç është gjëndra limfatike në afërsi të kraharorit.

Karcinomi që nuk është diagnostikuar dhe nuk është mjekuar shpejt, përhapet në organet tjera dhe më vonë hyn në fazën në të cilën nuk mjekohet.